Skandali që e shkundi Austrinë, publikohet video

Evropë

Skandali që e shkundi Austrinë, publikohet video

Më: 22 maj 2019 Në ora: 12:10

Austria është trandur nga skandali i një materiali filmik të publikuar së fundmi, ku Zv.kancelari austriak i dorëhequr, Heinz-Christian Strache, shfaq gatishmërinë që në cilësinë e kreut të Partisë së Lirë (FPÖ), t’i siguronte një oligarkeje ruse, Aljona Makarova-s, mbështetje për tendera publikë, në këmbim të promovimit të formacionit të tij politik në të përditshmen “Kronen Zeitung”.

Kompromentimi i Strache-s, parashikohej nëse FPÖ-ja do të ishte pjesë e formacionit qeverisës pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, ku populistët arritën 26 % të votave dhe u bashkuan në një koalicion paselektoral me grupimin e shumicës të konservatorëve kristian-demokratë të ÖVP-së.

18 orë pas publikimit të video-skandalit, Strache i paraqiti dorëheqjen bashkëdrejtuesit të koalicionit qeverisës, kancelarit austriak, Sebastian Kurz, i cili shpalli të shtunën zgjedhjet e parakohshme. Po ashtu, Strache dorëzoi edhe postin e kreut të FPÖ-së. Në orët që kanë pasuar dorëheqjen e Zv.kancelarit, qarkullojnë hipoteza se pasuesi i tij i mundshëm është kandidati i dikurshëm për president nga radhët e ekstremit të djathtë, Norbert Hofer.

Ndërkohë, të gjithë ministrat e FPÖ-së janë shtrënguar të ndjekin shembullin e liderit të tyre, duke u tërhequr nga detyra. Ky vendim unitar për tërheqjen nga koalicioni qeveritar, u paralajmërua nga Strache ditën e djeshme, pas thirrjes së kancelarit Kurz për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Herbert Kickl, i cili duke qenë edhe në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, duhet të mbante gjithaq përgjegjësi për skandalin.

Mes titullarëve të tjerë të dorëhequr, janë: ministrja e Punëve të Jashtme, Karin Kneissl, ministri i Mbrojtjes, Mario Kunasek, ministri i Transportit, Norbert Hoffer dhe drejtuesja e institucionit rregullator të politikave dhe Çështjeve Sociale, Beate Hartinger-Klein.

Materiali filmik që jo vetëm i kushtoi karrierën Strache-s, por që kolapsoi mbarë ekzekutivin, ka ngritur shumë pandehma mbi një prapavijë të qëllimtë të video-skandalit, duke u hapur udhë kështu edhe teorive të shumta konspirative.

Në përgjimin sekret të publikuar të premten nga prestigjiozet gjermane “Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung”, Makarova, shtetase letoneze dhe mbesë e një oligarku rus, shpreh ambicien për të blerë gazetën austriake me tirazhin më të lartë, “Kronen Zeitung”, me qëllim që të faktorizonte FPÖ-në gjatë periudhës paraelektorale, për të përftuar në formë kompesimi disa tendera publikë.

Sikurse dikton edhe thënia franceze gati proverbiale “cherchez la femme”, orvatjet për të zbuluar porositësin e video-përgjimit, janë të prirura drejt gjurmimit të Makarova-s, ruses tipike flokëverdhë, shtatlartë dhe hollake. Në fund të bisedës së gjatë prej 6-orësh që zhvillohet në një vilë të ishullit spanjoll të Ibizës, shefi i FPÖ-së përjetoi thuajse një epifani, kur perceptoi papritur në mënyrë intuitive se po i ngrihej një pusi. Makarova, përkundër sharmit natyralisht miklues, por detyrimisht të ushqyer edhe nga pasuria e pamatë, shfaq mungesë të theksuar dhe pështirosëse të higjenës me thonjtë e këmbëve të papastër, të zinj pis.

“Kjo s’përshtatet me pamjen e përgjithshme.”- vëren me të drejtë Strache, që pasi sigurohet nga funksionari i FPÖ-së, Johann Gudenus, për vërtetësinë e identitetit të ruses, vazhdon të gjerbë i patrazuar vodkë me Red Bull dhe të tymosë duhan.

Gudenus, është njeriu i besuar i Strache-s për punë të ndyra. Zotërues i shkëlqyer i rusishtes, si rezultat i studimeve në Moskë, eksponenti i FPÖ-së Gudenus, është dekoruar së bashku me eprorin e tij Strache-n me urdhrin e Republika Srpskës nga Millorad Dodiku, anëtari serb i presidencës tripalëshe të Bosnje-Hercegovinës, që shquhet për qendrimet e tij të theksuara nacionaliste.

Pasi troku i orës ka lajmëruar mbërritjen e mesnatës, Strache dhe Gudenus shprehin dëshirën për të shkuar në një klub në “Playa d’en Bossa”. Të veshur ndonëse në mënyrë të shkujdesur, ashtu siç e kërkojnë temperaturat dhe atmosfera e jetës së natës, austriakët nuk harrojnë të “nxjerrin vaj edhe nga guri”.

Ironikisht, kjo thënie është huazuar nga një prej vëllimeve të veprës monumentale të letërsisë ruse dhe të asaj botërore, “Lufta dhe Paqja”, të autorit L.Tolstoi, ku një prej personazheve të ushtrisë ruse përdor shprehimisht këto fjalë për të shpjeguar strategjinë e një gjenerali gjerman.

Strache i drejtohet Gudenusit duke i kërkuar që të bindë Makarova-n për të blerë të përditshmen “Kronen Zeitung”, që shihej nga populisti si nevojshmëri për të marrë nën kontroll të plotë politikën e saj redaksionale.

Pas kësaj rezymeje që ilustron tablonë e politikës së ditëve të fundit në Austri, janë ngritur pyetje dhe hije dyshimi lidhur me organizatorët e këtij inskenimi profesional, të krahasueshëm me skrupolizitetin e shërbimeve sekrete.

Duke njohur parimet dhe retorikën e presidentit Donald Trump, mund të përjashtojmë mendjendarë amerikanët, por bashkë me ta edhe rusët, që afërmendsh nuk do të kërkonin kurrës e kurrës dobësimin e influencës së njerëzve të tyre në Vjenë. Teksa hetimet kanë nisur, është ende herët për të folur dhe mbetet për t’u parë nëse prapaskenat e këtij sulmi do shoshiten për publikun e gjerë.

Në përmbyllje, vlen për t’u sjellë në vëmendje pohimi i komedianit gjerman, Jan Böhmermann, i cili të enjten, në një video-mesazh falenderimi për publikun pas vlerësimit me një prej çmimeve më prestigjoze në lëmin e aktrimit, tha se shkak i mospranisë së tij ishte bërë një natë “e çmendur” mes alkoolit dhe kokainës pikërisht me disa miq të FPÖ-së, të gostitur në vilën e një oligarku rus, ku po bisedohej për blerjen e “Kronen Zeitung”.

I pamësuar të mos qeshë me shpërfaqjet e karakterit hokatar të Böhmermann-it, publiku nuk e kuptoi se po gjendej midis një profecie dhe një të vërtetë shtangëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat