Merkel dhe Zelenskiy diskutojnë konfliktin në lindje të Ukrainës

Evropë

Merkel dhe Zelenskiy diskutojnë konfliktin në lindje të Ukrainës

Më: 24 maj 2019 Në ora: 17:07
Foto ilustrim

Presidenti i ri i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë diskutuar përmes telefonit, përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës.

Sipas zyrës së Zelenskiyt, të dy liderët janë pajtuar për rinisje të përpjekjeve për paqe, duke përfshirë të ashtuquajturin, Format të Normandisë, që dërgon në tavolinë të diskutimeve, Ukrainën, Rusinë, Gjermaninë dhe Francën.

Në deklaratë po ashtu është thënë se Zelenskiy planifikon të diskutojë edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron në një të ardhme të afërt.

Në Berlin, zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ka thënë se Merkel dhe Zelenskiy janë pajtuar për “zbatim të plotë” të marrëveshjeve aktuale për paqe.

Në Moskë, Kremlini ka thënë se Rusia do të përkrahte një takim sipas Formantit të Normandisë, në rast se ka potencial për arritje të ndonjë rezultati.

“Askush nuk dëshiron të ketë takim vetëm sa për të thënë”, është cituar të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë së lajmeve, TASS.

Nga prilli i vitit 2014, rreth 13,000 persona janë vrarë në luftimet në mes të forcave të Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, të cilët kontrollojnë disa pjesë të rajoneve, Donetsk dhe Luhansk.

Marrëveshjet e armëpushimit të arritura në shtator të vitit 2014 dhe shkurt të 2015-ës, kanë synuar zgjidhjen e konfliktit, mirëpo të dyja kanë dështuar që të zbatohen.

Një marrëveshje e re është arritur më 8 mars të këtij viti, mirëpo të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të këtij dokumenti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat