Hammond thotë se nuk do të mbështesë një Brexit pa marrëveshje

Evropë

Hammond thotë se nuk do të mbështesë një Brexit pa marrëveshje

Më: 26 maj 2019 Në ora: 17:11
Ministri britanik i Financave, Philip Hammond

Ministri britanik i Financave, Philip Hammond tha sot se do të jetë shumë e vështirë për pasardhësin e kryeministres Theresa May që të anashkalojë vullnetin e Parlamentit britanik dhe të kërkojë që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, duke shtuar se personalisht nuk do të mbështesë një Brexit pa marrëveshje.

Disa prej kandidatëve që po konkurrojnë për postin e kryeministrit të Britanisë, kanë thënë se vendi duhet të largohet nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje.

Parlamenti britanik ka votuar vazhdimisht kundër një Brexit-i (dalja e Britanisë nga BE-ja) pa marrëveshja, dhe ministri Hammond tha se nuk beson që Britania mund të largohet nga BE-ja pa një marrëveshje.

Sipas Hammond, Parlamenti britanik do të “kundërshtonte me forcë” një Brexit pa marrëveshje.

“Do të ishte shumë e vështirë për një kryeministër që aplikon si politikë të tij daljen e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje”, tha Hammond për BBC TV.

Më 24 maj, kryeministrja britanike Theresa May njoftoi se do të dorëhiqet nga ky post më 7 qershor, duke shprehur keqardhje që nuk ka mundur të përfundojë procesin e Brexit-it.

Britania është dashur të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars por kryeministrja, Theresa May, nuk arriti të bindë ligjvënësit britanikë për të votuar marrëveshjen e arritur me udhëheqësit e BE-së.

Megjithatë ajo arriti të marrë pajtimin e BE-së për shtyrjen e afatit të Brexit-it deri më 31 tetor, datë kjo kur Britania duhet të dalë nga BE-ja me ose pa marrëveshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat