Zgjedhjet e PE, ekstremi i djathtë dhe e Gjelbra shënojnë rritje

Evropë

Zgjedhjet e PE, ekstremi i djathtë dhe e Gjelbra shënojnë rritje

Më: 27 maj 2019 Në ora: 16:02
Parlamentit Evropian

Partitë e ekstremit të djathtë anti-emigrante dhe ato të gjelbra kanë rritur vendet e tyre në Parlamentin Evropian (EP), ndërsa partitë e qendrës ballafaqohen me rënie të konsiderueshme në zgjedhjet e së dielës, treguan rezultatet jozyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Partia Popullore Evropiane (PPE) pro-BE-së, e cila kishte 216 vende përpara zgjedhjeve, kryesoi zgjedhjet me 173 vende në PE-në e cila gjithsej numëron 751 ulëse, ndërsa Social Demokratët (S&D) fituan 147 vende, 40 më pak nga zgjedhjet e mëparshme të vitit 2014.

Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE) ka fituar 102 vende, Të Gjelbërit Evropianë/Aleanca e Lirë Evropiane (EFA) ka siguruar 71, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë 58, Evropa e Kombeve dhe Lirisë (ENF) 57, Liritë Evropiane dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë (EFDD) 56, ndërsa E Majta e Bashkuar Evropiane/E Majta e Gjelbër Nordike (GUE-NGL) ka siguruar 42 vende deri më tani.

45 deputetët e ngelur janë zgjedhur si të pavarur dhe kandidatë të tjerë.

Partitë e ekstremit të djathtë përfaqësohen nga tre aleanca politike, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR), Evropa e Kombeve dhe Lirisë (ENF) dhe Liritë Evropiane dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë (EFDD), të cilët përpiqen të mblidhen nën një grup të vetëm.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në gjithë Evropën ishte 51 për qind, ndërsa në vitin 2014 ishte 42,6 për qind.

Rreth 400 milionë qytetarë kishin të drejtë vote në zgjedhjet e PE-së, duke i bërë ato zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike pas Indisë.

Gara e këtij viti ishte në mes të tetë grupeve të ndryshme brenda parlamentit, ku 28 shtete të BE-së dolën për të votuar për zgjedhjet që u mbajtën në periudhën 23-26 maj.

Zgjedhjet e PE-së mbahen çdo pesë vjet. PE, i cili vepron si organ legjislativ i bllokut, së bashku me Këshillin e BE-së konfirmojnë dhe miratojnë ligjet dhe buxhetin e unionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat