Gara për liderin konservator, Hunt: “Brexit” pa marrëveshje, vetëvrasje politike

Evropë

Gara për liderin konservator, Hunt: “Brexit” pa marrëveshje, vetëvrasje politike

Më: 28 maj 2019 Në ora: 09:14
Jeremy Hunt

Kandidati për kreun e konservatorëve në Britaninë e Madhe, Jeremy Hunt ka paralajmëruar se partia e tij do të kryejë “një vetëvrasje politike” nëse përpiqet të shtyjë më tej drejt një “Brexit”-i pa marrëveshje.

Sekretari aktual i Jashtëm është një prej 10 kandidatëve që kërkojnë të zëvendësojnë Theresa Mayn në krye të ekzekutivit britanik, pas dorëheqjes së paralajmëruar të saj pak ditë më parë.

Michael Gove, nga ana tjetër, ka nisur fushatën me angazhimin për të lejuar shtetasit e vendeve të BE-së, që ndodheshin në Britani në momentin e referendumit, të aplikojnë për nënshtetësi pa paguar hiçgjë.

Sekretari ambientalist dhe mbështetës i “Brexit”-it pritet ta bëjë publike këtë ofertë “të hapur dhe tepër bujare”, sipas disa burimeve. Një tjetër rival konservator, Sekretari për Zhvillimet Ndërkombëtare, Rory Stewart premton të “dëgjojë më shumë opinione” mbi “Brexit”-in.

Por, të kthehemi te Hunt. Duke shkruar për “Daily Telegraph”, ai thotë se konservatorët do të “asgjësoheshin” dhe “përballeshin me zhdukjen”, nëse do të mbaheshin zgjedhje të përgjithshme përpara se të ndodhë “Brexit”.

Hunt thotë se, gjithmonë ka besuar se dalja pa marrëveshje është më e mirë sesa moszbatimi i “Brexit”-it, por paralajmëron më tej se, një kryeministër që bën thirrje për daljen pa marrëveshje do të rrezikonte të humbiste përballë një mocioni mosbesimi në Parlament, duke shkaktuar kështu zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.

“Të përpiqesh të arrish shkëputjen pa marrëveshje përmes zgjedhjeve të përgjithshme nuk është një zgjidhje, madje është vetëvrasje politike”, shkruan ai. Sipas tij, kjo do të fuste në “10 Downing Street” Jeremy Corbyn, jo më vonë sesa periudha e Krishtlindjes. Ndaj, ai zotohet të negociojë një marrëveshje të re me Bashkimin Europian, nëse ai fiton garën për kreun e partisë.

Në kundërpërgjigje ndaj tij, një prej rivalëve të Huntit, Esther McVey tha se “vetëvrasje politike” do të ishte në fakt mosshkëputja nga BE-ja në fund të tetorit, siç është planifikuar.

Në garën për lidershipin e konservatorëve, për të zëvendësuar kryeministren në largim Theresa May janë 10 kandidatë: Sekretari i Brendshëm, Sajid Javid; Sekretari për Shëndetësinë, Matt Hancock; Sekretari i Jashtëm, Jeremy Hunt; ish-Sekretari i Jashtëm, Boris Johnson; ish-kreu i Dhomës së Komunëve, Andrea Leadsom; ish-Sekretarja për Punën dhe Pensionet, Esther McVey; ish-Sekretari për “Brexit”-in, Dominic Raab; Sekretari për Zhvillimet Ndërkombëtare, Rory Stewart; Sekretari për Mjedisin, Michael Gove; si dhe Ministri për Strehimin, Kit Malthouse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat