Raundi II i zgjedhjeve vendore në Greqi

Evropë

Raundi II i zgjedhjeve vendore në Greqi

Më: 2 qershor 2019 Në ora: 10:52
Ilustrim

Zgjedhësit në Greqi i janë rikthyer sërish kutive të votimit për të përcaktuar këtë herë kryebashkiakët e tyre për 5 vitet e ardhshme.

Në raundin e parë të zgjedhjeve vendore, konservatorët e Kirjakos Micotakis mundën rivalët qeverisës duke marrë 5 nga 13 rajonet e vendit, ndërsa partia e Aleksis Cipras siguroi vetëm një të tillë.

Sondazhet tregojnë se e majta pritet të humbasë udhëheqjen në kryeqytet dhe po ashtu në qendrën e dytë më të madhe të vendit, Selanikun.

Për Athinën, kandidati i "Demokracisë së Re", Kostas Bakojanis, i biri i dy politikanëve Pavlos dhe Dora Bakojanis, mbetet më i favorizuari.

Ai aktualisht kryeson me 25 pikë kundrejt rivalit të Sirizës, Nasos Iliopulos.

Analistët vendës vlerësojnë se rritja e konservatorëve ka ardhur pjesërisht si rezultat i Marrëveshjes së Prespës midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për ndryshimin e emrit të fqinjit verior.

Një tjetër faktor mbetet fokusi i qeverisë te klasa punëtore, duke e ndihmuar atë me skema provizore të asistencës por pa detajuar një perspektivë të qartë për punësimin apo mirëqenien e tyre afatgjatë.

Në zgjedhjet europiane të javës së kaluar, partia më e madhe opozitare arriti të kalojë kundërshtarët e majtë të Sirizës me 9 për qind, ndërsa kjo e fundit humbi mbi 600 mijë votues të cilët abstenuan ose përkrahën partitë më të qendrës.

Kryeministri i vendit, Aleksis Cipras, ka njoftuar paraprakisht se pasi të shpallen zgjedhjet vendore ai do të kërkojë shkrirjen e parlamentit dhe çeljen e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë caktuar të mbahen një muaj më vonë në datën 7 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat