Greqi, Tsipras humbet edhe në zgjedhjet lokale

Evropë

Greqi, Tsipras humbet edhe në zgjedhjet lokale

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 14:00
Ilustrim

Edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, në të cilat konkurronin kandidatë për gjysmat e periferive të vendit dhe dy të tretat e bashkive, ka shënuar një humbje totale për kreun e qeverisë greke, Alexis Tsipras, ndaj rivalit të tij për pushtet, udhëheqësit të kosnervatorëve, Mitsotakis.

Kandidatët e përkrahur nga “Demokracia e Re” kanë fituar në 12 prej 13 periferive të vendit dhe thuajse në shumicën e bashkive. Goditja dërrmuese ka qenë periferia më e madhe e vendit, ajo e Atikës, që erdhi në duart e konservatorëve pas 21 vitesh, ndërsa edhe Bashkia e Athinës u fitua me përqindje të madhe nga djali i ish-ministres së Jashtme, Dora Bakojanis, njëkohësisht nipi i Kyriakos Mitsotakis.

“Në politikë, ashtu si edhe në jetë, ka shumë rëndësi të dish të fitosh, por edhe të dish të humbësh. Më e rëndësishmja, të ringrihesh përsëri në këmbë dhe të luftosh”, tha Alexis Tsipras.

Ndërsa Tsipras pranoi humbjen e kandidatëve të partisë së tij në pushtet, kreu i “Demokracisë së Re” ka deklaruar se rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale paralajmërojnë “hapin e dytë” drejt ndryshimeve të mëdha politike në Greqi.

“Harta e Greqisë është sot në ngjyrën blu, por në këtë rast, bluja nuk është ngjyra e Demokracisë së Re, por ngjyra e atdheut tonë”, tha Kyriakos Mitsotakis.

Orët e fundit është shënuar edhe një krizë politike në radhet e socialistëve grekë të Lëvizjes për Ndryshim (KINAL), me bazë kryesisht PASOK-un, pasi ka ikur ish-lideri i kësaj partie, Evangjelos Venizelos, në një përpjekje për thithjen e përkrahësve të kësaj force që ishin larguar si rezultat i vijës politike të ndjekur nga kjo parti, kryesisht bashkëpunimi me konservatorët në qeveritë e viteve 2012-2014.

Ndërkohë, të hënën që vjen, Alexis Tsipras pritet të shkojë te presidenti i vendit për t’i kërkuar zgjedhje të parakohshme, të cilat thuhet se do të zhvillohen më 7 korrik, në një klimë aspak të favorshme për partinë në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat