Dy shtetas francezë dënohen me vdekje në Irak për shkak të përfshirjes në ISIS

Evropë

Dy shtetas francezë dënohen me vdekje në Irak për shkak të përfshirjes në ISIS

Më: 4 qershor 2019 Në ora: 14:47
Foto ilustrim

Dy shtetas francezë janë dënuar me vdekje nga një gjykatë irakiane në Bagdad këtë të hëne për shkak se ishin pjesë e të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Dy burrat – Bilel Kabaoui, 32 vjeçar dhe Mourad Delhomme, 41 vjeçar, janë ndër rastet e fundit që gjykatat irakiane i kanë shqyrtuar për shtetas të huaj, që janë bërë pjesë e ISIS-it. Javën e kaluar, një tjetër shtetas francez, dhe një shtetas tunizian, ishin dënuar me vdekje nga kjo gjykatë.

Të kapur në Siri dhe pastaj të transferuar në Irak nga forcat kurde, ata u akuzuan për terrorizëm dhe thyerje të ligjeve ndërkombëtare, raporton Euronews.

Të qenurit pjesë e një grupi terrorist, edhe nëse nuk e kap armën në dorë, është e dënueshme me varje në Irak. Që nga fillimi i vitit 2018, Iraku ka dënuar mbi 500 shtetas të huaj me vdekje, për shkak se ishin pjesë e ISIS-it.

Ligjet irakiane të terrorizmit e konsiderojnë se vetë anëtarësimi në një grup terrorist është krim, pa specifikuar faktorët e tjerë, dhe gjithkush dënohet, ka kryer ose jo krime.

Deri tani, 11 shtetas francezë janë dënuar me vdekje nga gjykatat e Irakut. Shkalla tjetër e gjykimit është gjykata e apelit, e cila e ka mundësinë ta kthejë vendimin. Ndërsa fjala e fundit i mbetet presidentit irakian.

Një turpërim për Francën

Lejimi i këtyre 11 francezëve të ekzekutohen është një turpërim për Francën, ka thënë një avokat i njohur francez, i cili letrën e tij e ka publikuar në mediat franceze të hënën.

“Ne kemi ndërmarrë një rrezik historik, nëse ata ekzekutohen, do të rrezikohet edhe vetë mandate i Emmanuel Macronit” thuhet në letrën e tij.

Organizata ndërkombëtare, Human Rights Watch, thotë se ata e dënojnë vendimin e gjykatës, dhe sipas tyre, të dënuarit duhet të ekstradohen në Francë dhe të gjykohen në bazë të ligjeve franceze.

Përgjigja e qeverisë franceze

Që prej kapjes së qytetarëve francez, zyrtarisht Franca ka kërkuar nga Iraku që ata të ekstradohen dhe të gjykohen në bazë të ligjeve franceze.

Zëdhënësi i qeverisë franceze, Sibeth Ndiaye tha për televizionin Europe 1 se “Pozicioni i Francës ka qenë konstant … Në momentin kur qytetarët tanë mund të përballen me dënim me vdekje, ne do të intervenojmë përmes niveleve më të larta të shtetit”.

Ndërkohë, në një intervistë për gazetën franceze, Le Parisien, zv.ministri i brendshëm Laurent Nunez tha që “ata janë njerëz që zgjodhën që ta lënë territorin francez dhe të dalin kundër Francës, dhe ata janë fajtorë për dhunë të tmerrshme. Franca nuk ka arsye që të mos kërkojë që ata të gjykohen këtu”.

“Franca është shtet i pavarur dhe si i tillë jep drejtësi për qytetarët e saj” përfundoi Ndiaye. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat