Katër të dënuar me burgim të përjetshëm për vdekjen e 71 emigrantëve

Evropë

Katër të dënuar me burgim të përjetshëm për vdekjen e 71 emigrantëve

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 18:25
Trupat e tyrer qenë gjetur në një kamion në një autostradë në Austri, në gusht të vitit 2015.

Një gjykatë në Hungari, dënoi katër trafikantë me qenie njerëzore me burgim të përjetshëm, lidhur me vdekjen e 71 emigruesve, trupat e të cilëve qenë gjetur në një kamion në një autostradë në Austri, në gusht të vitit 2015.

Vdekja atëbotë e 59 burrave, tetë grave dhe katër fëmijëve nga Siria, Iraku e Afganistani, tronditi Evropën e cila po përballej me një valë të më shumë një milion refugjatëve dhe emigrantëve atë vit.

Ai ishte incidenti më i rëndë i këtij lloji në rrugëtimin përgjatë Ballkanit dhe Evropës Qendrore, që kishin marrë qindra mijëra njerëz që iknin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi.

“Vuajtjet në atë kamion janë përtej imagjinatës, siç është indiferenca e madhe që autorët kanë treguar ndaj vdekjes së këtyre 71 njerëzve. Prandaj, për ata që kanë luajtur një rol thelbësor, nuk ka dyshim se dënimi i vetëm në përpjesëtim me krimin e tyre është ai maksimal - jeta në burg pa të drejtë amnistie”, tha gjyqtari kryesues Erik Mezolaki.

Një nga të akuzuarit u dënua me të paktën 30 vjet heqje lirie – ligjërisht një dënim me burgim të përjetshëm në Hungari – por me të drejtën e kërkesës për lirim me kusht pas atij afati.

Kreu afgan i bandës dhe tre bashkëpunëtorët e tij bullgarë u gjetën fajtorë për vrasje për shkak të refuzimit që të ndalojnë kamionin frigorifer për të hapur dyert që emigrantët të mund të merrnin frymë, pavarësisht nga lutjet e atyre që ishin brenda.

Udhëtarët e kuptuan se po ishin në rrezik nga ngufatja dhe goditën dyert, klithën e bërtitën për të tërhequr vëmendjen e shoferit, tha një gjykatës hetues gjatë një dëgjimi vitin e kaluar.

Gjykatësi Mezolaki tha se afgani Lahoo Samsooryamal, urdhëroi shoferin të mos hapte dyert e mbyllura hermetikisht në kamionin që po udhëtonte nga Hungaria për në Austri në drejtim të Gjermanisë, synimi i shumë emigrantëve që hynë në Evropë në vitin 2015.

Ai ishte në kontakt me telefon gjatë udhëtimit me bullgarët; Metodi Georgiev, Vencislav Todorov dhe Ivaylo Stoyanov – njëri prej të cilëve drejtonte kamionin, ndërsa dy të tjerët e ndiqnin atë me makina.

Kamioni më pas u braktis ne qytetin Parndorf në Austri. Gjykimi u mbajt në Hungari, meqë ajo ishte fillimi i rrugës vdekjeprurëse./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat