Salvini: Nuk kemi marrë financime të fshehta nga Rusia

Evropë

Salvini: Nuk kemi marrë financime të fshehta nga Rusia

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 08:46
Matteo Salvini

Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, hodhi poshtë pretendimet se partia e tij populiste është përpjekur të marrë financime të fshehta nga Rusia.

Ai ndërkohë ka shtuar komentet në mbrojtje të asaj që e quan “kulturë e krishterë” si dhe për çështjen që e ka shpërblyer më shumë në zgjedhje, emigracionin.

Ndërsa prokurorët e Milanos pohojnë se partia e ekstremit të djathtë Lega ka kërkuar financime të fshehta ruse, zëvendëskryeministri italian ka shtuar komentet e tij anti-emigracion në tubimet dhe në faqet e tij të mediave sociale, duke e lidhur migracionin me krimin dhe papunësinë dhe duke paralajmëruar se kjo është kërcënim për kulturën tradicionale të Italisë.

Kritikët e zotit Salvini thonë se ai po përpiqet të largojë vëmendjen nga akuzat për Rusinë dhe nga problemet e ekonomisë së vendit, e cila vazhdon të jetë e zhytur në recesion.

Pretendimet për financime të fshehta ruse morën një shtysë të re javën e kaluar kur faqja e lajmeve në internet Buzzfeed publikoi audio të një takimi në një hotel të Moskës midis ish-zëdhënësit të shtypit të Salvinit, dhe disa rusëve të paidentifikuar duke diskutuar mbi mundësinë e devijimit të 65 milionë dollarëve drejt partisë Lega nëpërmjet transaksioneve të naftës ruse me çmim të ulur.

Prokurorët e Milanos kërkuan të marin në pyetje zotin Savoini, i cili organizoi një darkë shtetërore më 4 korrik në Romë për nder të Presidentit rus Vladimir Putin, por sipas agjencisë italiane të lajmeve Ansa, ish-gazetari ushtroi të drejtën e tij për të mos iu përgjigjur pyetjeve.

Zoti Salvini po ndjek një qëndrim të ngjashëm me mediat. Në një deklaratë të lëshuar javën e kaluar ai tha se nuk ka marrë "asnjë rubël, asnjë euro, asnjë dollar apo ndonjë litër vodka". Ai shtoi se admirimi i tij për presidentin rus Vladimir Putin dhe kundërshtimi i tij ndaj sanksioneve evropiane të vendosura ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014, janë veprime “falas”.

Të hënën ai u tha gazetarëve se: "nuk kam ndërmend të flas më për paratë që kurrë nuk i kam parë dhe që kurrë nuk i kam kërkuar".

Deri më tani zoti Salvini u ka rezistuar thirrjeve në rritje për të dalë përpara parlamentit të vendit për t'iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me pretendimet për takime të zëdhënësit të tij zotit Savoini me presidentin e një shoqërie biznesi italiano-ruse dhe një nga kontaktet kryesore të Lega-s, me Kremlinin.

Në vend të kësaj, Salvini ka përforcuar retorikën e tij kundër emigrantëve përballë kritikave të opozitës se ai po nxit urrejtjen racore. Duket se kjo strategji po sjell rezultate në sondazhet e opinionit. Partia e tij Lega ka gëzuar një rritje të pandërprerë të mbështetjes në kurriz të partnerit të saj në qeverinë e koalicionit, Lëvizja Pesë Yje.

Të martën, ai i dërgoi një letër prefektëve të Italisë duke u bërë thirrje atyre të përgatisin "një raport mbi praninë e vendbanimeve të komuniteteve rome, sinti dhe kaminanti" brenda territoreve të tyre, në mënyrë që të "përgatisin një plan pastrimi"të kampeve të paligjshme.

Zoti Salvini ka mbajtur një sërë tubimesh të stilit Trump në Italinë qëndrore, një rajon tradicionalisht i majtë, i njohur si "brezi i kuq" i vendit. Në një tubim të shtunën, pranë Bolonjës, zoti Salvini mburrej se do të ketë shumë më pak tregtarë të huaj në plazhet e Italisë këtë vit për shkak të operacioneve të policisë. Ai gjithashtu përshëndeti ekipin lokal të futbollit për mos rekrutimin e lojtarëve të huaj.

Turma e mbështetësve të tij brohoriste, duke mbajtuar flamuj blu dhe të bardhë me mbishkrimin "Prima l'Italia", “Italia e para”, ndërsa zoti Salvini tallej me kapitenen gjermane të një anijeje shpëtimi të emigrantëve dhe me stillin e saj afrikan të flokëve. Kapitenja Carola Rackete, e cila sfidoi zotin Salvini duke zbarkuar 40 emigrantë në Siçili,

ka thënë tashmë se ka në plan të ngrejë padi ndaj zëvendëskryeministrit të Italisë për komentet fyese ndaj saj.

Një javë më parë në qytetin malor të Orvietos, zoti Salvinini bëri lidhje mes të huajve dhe krimin ndërsa organizatat bamirëse që i ndihmojnë të huajt, si faktorë që duan të shkatërrojnë kulturën tradicionale të krishterë.

Në faqen e tij në Facebook, zoti Salvini ka akuzuar organizatat bamirëse të mbështetura nga BE-ja për përpjekje për të shkatërruar qytetërimin evropian. "Këto nuk janë operacione shpëtimi. Ato janë operacione të planifikuara për të pushtuar Evropën, të sponsorizuara nga miliarderë, jo filantropë, nga spekulatorë miliarderë si Sorosi, që duan të anullojnë rrënjët, kulturën dhe traditën e njerëzve dhe duan skllevër të rinj", shkruhej në faqen e tij të Facebook-ut.

Udhëheqësi nacionalist populist i Hungarisë Viktor Orban, gjithashtu ka përqendruar zemërimin e tij mbi filantropin amerikan George Soros, i lindur në Hungari, duke u bërë objekt i akuzave për antisemitizëm.

Pavarësisht kritikave nga partitë liberale të Vatikanit dhe Italisë, sondazhet tregojnës se retorika e zoti Salvini po i rrit atij mbështetjen, duke nxitur spekulime në rritje se ai së shpejti do të përpiqet të rrëzojë qeverinë e koalicionit për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Ai shpreson se një veprim i tillë do t’i hapte rrugën për të qeverisur vendin i vetëm ose me mbështetjen e së djathtës ekstreme të Italisë. Mbështetja në nivel kombëtar për partinë Lega tani është në nivel 38 për qind, vetëm dy për qind më pak se pragu që do t'i jepte partisë shumicën në parlament.

Megjithatë prokurorët italianë mbeten një rrezik për Salvinin, thonë analistët. Ata mund ta godasin atë me ndihmën e partnerit në koalicion të Lega-s.

Ligjvënësit e Lëvizjes Pesë Yje tani kanë nisur të kërkojnë përgjigje për pretendimet e vazhdueshme se zoti Salvini ka kërkuar financime të fshehta ruse për partinë e tij. Zëvendëskryeministri dhe rivali politik Luigi Di Maio i Lëvizjes Pesë Yje ka bërë thirrje për një komision parlamentar për të hetuar financimin e partive politike të vendit.

I pyetur nga gazetarët të hënën nëse zoti Salvini duhet të paraqitet përpara parlamentit, Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte, i cili u zgjodh në këtë post nga Lëvizja Pesë Yje, u përgjigj: "pse jo?!"

Ai shtoi se: "ne besojmë tek transparenca në çdo nivel, në parlament para së gjithash. Udhëzimet tona janë të qarta: transparencë absolute për qytetarët italianë dhe besnikëri absolute ndaj interesave kombëtare. Qeveria nuk do të lëvizë asnjë centimetër ndaj këtyre parimeve".

Një ditë më parë Kryeministri Conte vuri në dukje se zoti Savoini u shtua në listën e mysafirëve për darkën e 4 korrikut me presidentin Putin me kërkesë të zyrës së zotit Salvini. Vetë Matteo Salvini kishte thënë më herët se nuk e dinte pse zoti Savoini kishte marrë pjesë në këtë darkë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat