Mediat turke: Kryeministri i ri britanik është stërnip i osmanëve

Evropë

Mediat turke: Kryeministri i ri britanik është stërnip i osmanëve

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 14:21
Boris Johnson

Turqia është duke e festuar zgjedhjen e Boris Johnson-it si kryeministër i ri i Britanisë së Madhe për shkak të prejardhjes së tij familjare. Disa politikanë turq dhe mediat turke kanë thënë se “stërnipi i osmanëve” mund t’i forcojë lidhjet mes dy shteteve.

Ish-kryetari i Londrës është stërnip i ministrit të brendshëm të fundit të Perandorisë Osmane, Ali Kemal, dhe me prejardhjen e tij familjare po krenohen shumë turq.

Pavarësisht kritikave të tij ndaj Turqisë, përfshirë kërkesën për veton e Britanisë ndaj pranimit të Turqisë në Bashkimin Evropian, disa media turke i referohen Johnsoni-it si “Boris turku”.

“Stërnipi i osmanëve bëhet kryeministër”, shkruhet në titullin kryesor të gazetës opozitare turke, Sozcu. “Për Anglinë, një kryeministër me rrënjë në Cankiri”, shkruhet më tej në këtë gazetë, duke iu referuar vendlindjes së Kemalit në pjesën qendrore të Turqisë.

Njësoj si kryeministri, edhe stërgjyshi i tij ishte gazetar që më vonë u fut në qeveri, një vendim që i kishte sjellë fat të keq. Në ditët e fundit të ekzistimit të Perandorisë Osmane, Kemali ishte zënë dhe ishte vrarë nga nacionalistët, që luftonin për ta themeluar shtetin e Turqisë.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e ka uruar kryeministrin e ri britanik në Twitter, duke shtuar se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar janë të paracaktuara të përmirësohen. Atë e uroi edhe ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat