Johnson: Britania s’do të paguajë 39 miliardë funte në rastin e ‘Brexitit të vështirë’

Evropë

Johnson: Britania s’do të paguajë 39 miliardë funte në rastin e ‘Brexitit të vështirë’

Më: 25 gusht 2019 Në ora: 19:52
Boris Johnson

Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson tha sot se nëse vendi i tij largohet nga BE pa një marrëveshje, ai nuk do të jetë më i detyruar me ligj të paguajë daljen prej 39 miliardë funtesh, të dakorduar nga paraardhësja e saj Theresa May.

Mediat britanike kanë raportuar se Johnson do të përdorë një takim me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk në margjinat e samitit G7 për t’i njoftuar atij që Britania e Madhe do të paguajë më pak se 10 miliardë funte nëse largohet nga BE pa marrëveshje.

Televizioni Sky News raportoi se kjo shifër do të jetë 9 miliardë, ndërsa Sunday Times tha se avokatët e qeverisë britanike përfunduan se shtetit i kërkohej të paguante vetëm rreth shtatë miliardë funte.

"Unë mendoj se i gjithë Bashkimi Evropian e kupton që nëse dalim pa marrëveshje, nuk jemi më të obliguar ligjërisht të paguajmë 39 miliardë," tha Johnson për Sky News kur u pyet nëse ai kishte informuar liderët e BE-së se nuk planifikon të paguante shumën e dakorduar.

"Siç kam thënë shumë herë, më 1 nëntor, ne do të kemi një ekuilibër të konsiderueshëm prej këtyre 39 miliardëve për të mbështetur fermerët tanë dhe për të investuar në shumë sektorë të tjerë," shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, presidenti i SHBA-së Donald Trump e lavdëroi sot Johnson, duke thënë se ai ishte "njeriu i duhur për Brexit".

Trump beson se një marrëveshje tregtare me Britaninë e Madhe pas Brexit, mund të arrihet "shumë shpejt", ndërsa Johnson ishte më pak optimist, por shprehu një interes të qartë për të arritur një marrëveshje sapo vendi të largohet nga Bashkimi Evropian.

"Ne do të bëjmë një marrëveshje të madhe tregtare, më e madhja që kemi pasur ndonjëherë me Britaninë e Madhe," tha Trump gjatë një takimi me Johnson në Samitin e G7 në Francë.

Ai shtoi se pas Brexit, populli britanik "nuk do të ketë më një peshë rreth qafës", duke iu referuar Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat