Posti i Kryeministrit vonon koalicionin italian

Evropë

Posti i Kryeministrit vonon koalicionin italian

Më: 26 gusht 2019 Në ora: 16:03
Foto

Posti i kryeministrit të ri italian vijon të kushtëzojë formimin e një koalicioni të ri qeverisës mes dy partive "5 Yjet" dhe demokratëve. Nga radhët e PD-së italiane kërkojnë që ekzekutivi të rinovohet, ndërsa 5 Yjet këmbëngulin te kryeministri në largim, Giuseppe Conte. Dy palët duhet të gjejnë dakordësinë brenda së martës për të shmangur zgjedhjet e reja.

Kanë mbetur pak orë nga ultimatumi dhënë partive kryesore politike për formimin e qeverisë së re italiane.

Dy rivalët "Lëvizja 5 Yjet" dhe Partia Demokratike ende nuk kanë arritur të dakordësohen për postin e kryeministrit të ardhshëm të Italisë.

Demokratët thonë se do e pranonin me dëshirë si kryeqeveritar, kreun aktual të dhomës së ulët të parlamentit, Roberto Fico, që është edhe anëtar i partisë kundërshtare, ndërsa pala përballë këmbëngul që kryeministri i dorëhequr, Giuseppe Conte, të vazhdojë të udhëheqë ekzekutivin.

Pas një telefonate mes dy liderëve të partisë, demokrati Nicola Zingaretti tha të dielën se një qeveri e re ka nevojë për emra të rinj.

"Italianët nuk do e kuptonin një qeveri që merr persona nga një kabinet i rrëzuar. Ne besojmë më shumë te programi politik, te një vend më i gjelbër, më i drejtë, me më shumë politika për gratë dhe që ka në thelb vendet e punës," deklaroi politikani i PD-së italiane, duke shprehur edhe një herë vendosmërinë për të vijuar të hënën negociatat për koalicionin qeveritar.

E shpejtë erdhi edhe përgjigjia nga "5 Yjet".

"Nuk mund të humbasim më kohë për gjëra që janë thjesht bonsens. Kjo është absurde. Italia nuk mund të presë PD, por ka nevojë të vrapojë, të mos qëndrojë në vend dhe të mos ketë paragjykime për strategjitë e askujt," deklaruan aleatët në pushtet.

Mosarritja e një dakordësie brenda ditës së martë rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme në vjeshtë.

Edhe pse ka filluar të humbasë pikë në ditët e fundit, partia "Lidhja" e kryeministrit Mateo Salvini ka gjasat më të mëdha për të fituar shumicën parlamentare në rast se zgjedhjet do të mbahen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat