Formimi i qeverisë, pesë shtetet perëndimore ftojnë liderët e Bosnjës për kompromis

Evropë

Formimi i qeverisë, pesë shtetet perëndimore ftojnë liderët e Bosnjës për kompromis

Më: 28 gusht 2019 Në ora: 17:56
Foto

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Gjermanisë në Bosnje dhe Hercegovinë thanë në një deklaratë të përbashkët, se partitë politike duhet të arrijnë një kompromis dhe konsensus në mënyrë që të formojnë një qeveri të re në nivelin qendror.

"Vendimi për të shtyrë seancën e djeshme të Presidencës së BeH thekson nevojën për kompromis dhe ndërtimin e konsensusit midis partive politike dhe udhëheqësve në BeH," thuhet në deklaratë.

Ambasadat e pesë vendeve theksuan se mbeten të përkushtuara për të siguruar paqen dhe stabilitetin që do të sjellë prosperitet për të gjithë qytetarët e BeH.

"Formimi i një qeverie dhe përparimi i vazhdueshëm drejt reformave që janë në përputhje me qëllimet dhe angazhimet ekzistuese të politikës së jashtme, janë hapat kryesorë të ardhshëm për BeH dhe të ardhmen e saj. Liderët politikë duhet të respektojnë plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e BeH”, thuhet në deklaratën e pesë vendeve perëndimore, e cila ka marrë mbështetjen e delegacionit të BE-së në Sarajevë, transmeton KosovaPress.

Liderët e SDA, SNSD dhe HDZ kanë arritur më parë një marrëveshje mbi formimin e qeverisë në nivelin qendror, por miratimi i Planit Vjetor Kombëtar (ANP), që do të thotë aktivizimin e Planit të Veprimit për Hyrjen në NATO, është shfaqur si një pengesë për realizimin e marrëveshjes.

Anëtarët e Presidencës kroate dhe boshnjake Zhelko Komshiq dhe Sefik Xhaferoviq, thanë se nuk do të mbështesin zgjedhjen e Zoran Tegeltija (SNSD) si kryetar i Këshillit të Ministrave, nëse ANP nuk miratohet fillimisht, duke u thirrur në një vendim të Presidencës nga viti 2009, me të cilën kërkohet anëtarësimi i vendit në NATO.

Sidoqoftë, anëtari i tretë i Presidencës së BeH nga radhët e serbëve, Milorad Dodik, paralajmëroi se nuk do të mbështesë miratimin e ANP, duke u thirrur në rezolutën e Asamblesë të Republikës Serbe ‘mbi neutralitetin ushtarak të Bosnjë dhe Hercegovinës’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat