Ndërlikohet tutje procesi i Brexit-it - Bota Sot
Ndërlikohet tutje procesi i Brexit-it

Evropë

Ndërlikohet tutje procesi i Brexit-it

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 12:08
Kryeministri Boris Johnson gjatë një fjalimi publik, 2 shtator 2019

Ligjvënësit britanikë synojnë të marrin kontrollin e agjendës politike, për të penguar Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, pa marrëveshje me bllokun.

Ish-kancelari Philip Hammond tha se beson se ka mbështetje të mjaftueshme për ligjin, që do të kërkonte shtyrjen e datës së Brexit-it.

Përpjekjet e tilla sfidojnë kryeministrin Boris Johnson, i cili këmbëngul se Brexit-i duhet të ndodhë më 31 tetor, me ose pa marrëveshje me BE-në.

Deputetët pritet të paraqesin një ligj, në bazë të asaj që njihet si Urdhër i Përhershëm, që do të lejonte debatet urgjente.

Ligji do ta detyronte kryeministrin të kërkonte shtyrjen e Brexit-it deri më 31 janar, nëse ministrat nuk dakordohen për marrëveshje të re, ose nuk votojnë në favor të Brexit-it pa marrëveshje deri më 19 tetor.

Data për Brexit është shtyrë tashmë dy herë.

Parlamenti britanik e ka refuzuar tri herë marrëveshjen për dalje, e cila është arritur vitin e kaluar midis Brukselit dhe qeverisë së paraardhëses së Johnsonit, Theresa May.

BE-ja ka thënë se nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes.

Ajo është refuzuar kryesisht për shkak të politikave që parasheh për kufirin me Irlandën.

Johnson, në një fjalim televziv, tha se mund të arrijë të bëjë ndryshime në marrëveshjen aktuale, në një samit të BE-së më 17 tetor.

Qeveria paralajmëroi se mund të thërrasë edhe zgjedhje të parakohshme.

Ish-kancelari Hammond, i cili vjen nga Partia Konservatore e Johnsonit, tha se nuk do të mbështesë asnjë mocion për shpërndarjen e Parlamentit për zgjedhje, nëse nuk kalon ligji për ndalimin e Brexit-it pa marrëveshje.

Deputetja tjetër konservatore, Justine Greening, tha se Johnson po ofron zgjedhje të përgjithshme, që do t’iu ofrojnë votuesve të zgjedhin midis “Brexit-it pa marrëveshje dhe Jeremy Corbynit”.

Corbyn është udhëheqës i Partisë Laburiste në opozitë, i cili po ashtu është kundër Brexit-it pa marrëveshje.

“Do të isha i lumtur për zgjedhjet. Jam i gatshëm për to”, tha Corbyn.

Në Edinburg, ndërkaq, një gjykatës pritet të dëgjojë argumentet e një grupi deputetësh për planet e kryeministrit për të pezulluar punën e Parlamentit.

Javën e kaluar, Mbretëresha Elizabeta II e miratoi zyrtarisht kërkesën e Johnsonit për të pezulluar punën e Parlamentit para Brexit-it.

Kjo do të nënkuptonte zvogëlim të dukshëm të kohës së ligjvënësve për të diskutuar largimin nga blloku.

Institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse lë BE-në pa marrëveshje.

Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit-in në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...