Putin takon kryeministrin indian në një forum ekonomik në Rusi

Evropë

Putin takon kryeministrin indian në një forum ekonomik në Rusi

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 15:12
Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas) dhe kryeministri indian, Narendra Modi.

Presidenti rus, Vladimir Putin është takuar me kryeministrin indian, Narendra Modi për të diskutuar investimet dhe tregtinë në qytetin rus, Vladivostok, vend në të cilin të dy liderët janë duke marrë pjesë në një forum ekonomik treditor.

Në një konferencë të përbashkët për media, ata kanë diskutuar për bashkëpunimin në centralet bërthamore, udhëtimin në hapësirë, tensionet në Gadishullin Korean dhe stabilitetin global.

Agjencitë ruse të lajmeve kanë thënë se të dy janë zotuar për të vazhduar bashkëpunimin tregtar dhe atë ekonomik me Iranin.

Agjencia ruse TASS ka cituar Modin të ketë thënë se “të dyja shtetet kuptojnë se në mënyrë që të arrihet stabiliteti na duhet një botë me disa drejtime. Bashkëpunimi dhe koordinimi ynë në këtë çështje do jenë faktorë për të krijuar një botë të tillë”.

Putin ka thënë se Moska është e gatshme për bashkëpunim në fushën e energjisë bërthamore, prandaj Rusia pritet t’i ndihmojë që të krijojë të paktën 12 centrale bërthamore në dy dekadat e ardhshme.

Modi po ashtu ka thënë se edhe astronautëet indianë do të trajnohen në Rusi.

Rusia ka organizuar Forumin Ekomomik Lindor për të inkurajuar investimet dhe bashkëpunimin aziatik prej vitit 2015, kur sanksionet ekonomike të perëndimit kanë rënduar mbi Rusinë, pasi kjo e fundit ka marrë vendim për aneksim të Krimesë nga Ukraina.

Këtë vit pjesëmarrës janë kryeministri japonez, Shinzo Abe, presidenti i Mongolisë, Khaltmaa Battulga, dhe ai i Malajzisë, Mahathir Mohamad.

“Zhvillimi i lindjes së largët të Rusisë dhe forcimi i ekonomisë, si dhe rritja e standardit të jetesës janë disa prej prioriteteve tona kombëtare”, ka thënë Putin.

Vitin e kaluar, organizatorët kanë thënë se janë arritur 220 marrëveshje në vlerë të 46 milionë dollarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat