Putin komenton për traktatin e armëve bërthamore

Evropë

Putin komenton për traktatin e armëve bërthamore

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 23:19
Vladimir Putin

Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia do të prodhojë raketa që ishin të ndaluara deri muajin e kaluar kur një traktat që i ndalonte ato skadoi, por do t'i dislokojë ato vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do të bënin të njëjtin veprim.

"E thamë haptazi se nuk do të dislokojmë asnjë raketë pasi amerikanët bënë një provë me raketë të tillë," tha Putini gjatë një konference ekonomike në qytetin lindor të Vladivostokut më 5 shtator.

"Ne do të prodhojmë raketa të tilla, natyrisht, por nuk do t'i dislokojmë ato në rajone ku nuk janë shfaqur sisteme raketash me bazë tokësore të kësaj klase të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara," shtoi presidenti rus.

Pasi akuzuan Rusinë për shkelje të Traktatit të Forcave Bërthamore të Ndërmjetme (INF) për vite me rradhë, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën zyrtarisht më 2 gusht nga pakti që ndalonte raketat balistike dhe ato kruz me një distancë nga 500 deri në 5,500 kilometra.

Dështimi i traktatit të periudhës së Luftës së Ftohtë shtoi shqetësimet për një garë të re armatimesh.

Tensionet u rritën pas pranimit nga ana e Uashingtonit më 18 gusht se kishte testuar një raketë dhe do të përdorte të dhënat e kësaj prove për "zhvillimin e kapaciteteve të ardhshme të raketave me rreze të mesëm veprimi" nga Departamenti i Mbrojtjes.

Putin tha në Vladivostok se ai ishte i shqetësuar nga komentet e Uashingtonit në lidhje me vendosjen e raketave në Japoni dhe Korenë e Jugut pasi këto vende janë mjaft afër për të goditur territorin rus.

Deklarata e Putinit i bën jehonë një komenti të mëparshëm që ai bëri në 5 gusht, kur paralajmëroi se Rusia do të përgjigjet në mënyrë reciproke nëse Shtetet e Bashkuara zhvillojnë raketa bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, me bazë tokësore, pas prishjes së traktatit të kontrollit të armëve bërthamore të periudhës së Luftës së Ftohtë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat