Zgjedhjet lokale në Rusi: Opozita i sheh ato si pikë kthese

Evropë

Zgjedhjet lokale në Rusi: Opozita i sheh ato si pikë kthese

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 13:44
Lokal zgjedhor në Moskë

Paraburgime, burgime, gjoba. Megjithë trajtimin e ashpër të demonstruesve, opozita ruse kërkon të luftojë. Zgjedhjet e së dielës (08.09.) ajo i sheh si pikë kthese për lëvizjen protestuese, megjithë përjashtimin e saj.

Në shumë rajone ruse votohet këtë të diel (08.09) për guvernatorët e rinj dhe parlamentet rajonale. 56 milionë votues rusë janë thirrur të japin votën e tyre, votime që konsiderohen, si një test për kreun e Kremlinit, Vladimir Putin dhe partinë qeverisëse, „Rusia e bashkuar".

Opozita ruse e sheh veten të forcuar nga protestat, megjithë mijëra ndalime dhe dënime të tjera  për shkak të demonstratave të palejuara para zhvillimit të zgjedhjeve lokale. „Ne nuk pendohemi për asgjë. Unë shoh, se e kemi bërë çdo gjë si duhet. Kemi zhvilluar një fushatë të vërtetë politike," është shprehur, Ljubov Sobol, një nga drejtueset e lëvizjes protestuese në Moskë për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Dhuna e policisë nuk ka trembur askënd që të marrë pjesë në protesta. „Përpjekja për të frikësuar njerëzit ka dështuar." Ndalimet pjesërisht brutale të policisë sollën javët e fundit një valë reagimesh ndërkombëtare.

Image
Protesta kundër raprezaljeve të policisë

Opozitarët në Rusi e ndjejnë veten të rrezikuar

Në muajt e verës mijëra rusë dolën në rrugë për të protestuar kundër përjashtimit të një sërë politikanëve opozitarë në zgjedhjet për Këshillin Bashkiak të Moskës, që zhvillohen këtë të dielë.

Politikani i njohur lokal, Ilja Jashin, ish-deputeti, Dmitri Gudkov dhe juristja, Ljubov Sobol nuk janë pranuar në zgjedhjet në Moskë, me gjasë për shkak të gabimeve formale. Sipas Sobol, ajo është kërcënuar disa herë, ashtu si bashkëshorti i saj. „Ka një rrezik të lartë në Rusi të jesh njeri aktiv në politikë. Por ka vetëm një opsion - të vazhdosh të luftosh." Soboli, e cila u fut në grevë urie u ndalua për një kohë nga policia dhe u dënua me gjoba. „Ata duan të më izolojnë dhe e bëjnë këtë me të gjitha mjetet." Soboli punon për fondin kundër korrupsionit të kritikut të Kremlinit, Aleksej Navalny. Ajo ka marrë pjesë në investigime të aferave të ndryshme korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit.

Image
Marrja nga policia e opozitares Sobol, 3 gusht 2019

Sipas saj nuk dihet, se si ka për t'u zhvilluar gjendja e opozitës. „Kremlini nuk ka asnjë strategji." Ai është përpjekur deri tani vetëm të frikësojë njerëzit, thotë ajo. Sipas Sobol, Putini ndodhet tani para krizës më të madhe politike.

Rusia me kërkesë për Google e Facebook

Para zgjedhjeve, Këshilli Mbikqyrës i Mediave në Rusi u ka kërkuar koncerneve amerikane, Google dhe Facebook të heqin nga faqet e tyre reklamën politike në fundjavë. Një moszbatim i kësaj rregulloreje do të trajtohet, si përzierje në punët e brendshme të Rusisë, u tha të premten./DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat