Erdogan thotë se do të diskutojë me Trumpin për blerjen e raketave amerikane

Evropë

Erdogan thotë se do të diskutojë me Trumpin për blerjen e raketave amerikane

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 12:23
Rexhep Erdogan

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se do ta diskutojë blerjne e sistemit raketor amerikan “Patriot” me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ai tha se lidhja e tij personale me liderin amerikan mund ta tejkalojë krizën e shkaktuar nga Ankaraja, e cila e bleu sistemin raketor rus në kundërshtim me paralajmërimet amerikane.

Blerja e sistemit rus “S-400” nga Turqia në korrik bëri që Shtetet e Bashkuara të kërcënojnë me sanksione ndaj Turqisë. Departamenti Amerikan i Shtetit kishte thënë se oferta për t’ia shitur Turqisë sistemin mbrojtës raketor tashmë ka skaduar.

Sidoqoftë, Erdogani tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se ka diskutuar me presidentin amerikan përmes telefonit për blerjen e raketave “Patriot” para dy javësh dhe shtoi se kjo bisedë do të diskutohet përsëri gjatë takimit të tyre në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila mbahet javën e ardhshme.

“Thashë se pavarësisht çfarë pakoje të sistemit S-400 marrim, mund t’i blejmë disa raketa Patriot, por thashë se duhet t’i shikojmë kushtet që të përshtaten me sistemin S-400”, tha ai.

Përpos blerjes së armëve, dy liderët pritet të diskutojnë edhe për krijimin e një zone sigurie përgjatë kufirit prej 450 kilometrash mes Turqisë dhe Sirisë, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat