Barnier për Brexitin: Nuk ka përparim në bisedime pa propozime të reja

Evropë

Barnier për Brexitin: Nuk ka përparim në bisedime pa propozime të reja

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 14:39
Negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier.

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian “nuk duhet të pretendojnë se po negociojnë” një marrëveshje për Brexit, nëse nuk ka propozime të reja në tavolinë, ka thënë shefi e Bashkimit Evropian për negociatat rreth Brexitit, Michel Barnier.

Ai ka thënë se “mjafton” që Britania t’i tregojë BE-së se çfarë nuk i pëlqen në marrëveshjen aktuale.

Ai ka shprehur dyshime rreth propozimit të Britanisë për t’i vënë veto Irlandës Veriore sa u përket rregullave të BE-së, duke thënë se të gjitha pjesët e Mbretërisë së Bashkuar duhet të nënshkruajnë kushtet e largimit.

Barnier ka thënë se derisa të mos ketë propozime të reja, nuk do të ketë përparim të vërtetë drejt një pajtimi.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se “ka hapësirë” për arritje të ndonjë marrëveshjeje.

Ai ka thënë se një marrëveshje mund të arrihet në samitin e liderëve të BE-së më 17 tetor, ndonëse ministrat kanë thënë se hezitojnë të bëjnë publike hollësitë e propozimeve që do t’i parashtrojnë sepse frikësohen se do të kundërshtohen nga BE-ja.

Kryeministri britanik ka insistuar se nuk do të pranojë shtyrje të Brexitit përtej 31 tetorit, pavarësisht pse ligjvënësit britanikë kanë miratuar një ligj që detyron atë të kërkojë zgjatje të afatit të Brexitit, nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 19 tetor.

Pas takimit të Barnierit dhe Junckerit në Luksemburg të hënën, Johnson ka thënë se procesi i tentimit të arritjes së një marrëveshjeje për kushtet e largimit do të përshpejtohet.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat