Dhjetëra protestues janë arrestuar të shtunën nga policia në kryeqytetin e Francës gjatë përpjekjes për t’i rikthyer protestat masive të “jelekverdhëve”, të cilat kishin nisur vitin e kaluar.
Qindra protestues u mblodhën në pjesë të ndryshme të Parisit dhe policia i ka arrestuar për një kohë të shkurtër rreth 40 prej tyre.
Autoritetet e kanë planifikuar një operacion të madh sigurie për shkak të frikës së këta protestues mund të përleshen me pjesëmarrësit e një marshi për luftimin e ndryshimeve klimatike.
Shumica e protestuesve nuk kishin veshur jelekë me ngjyrë që bie në sy nga larg për t’iu shmangur më lehtë identifikimit dhe arrestimit nga policia.
Në anën tjetër, policia, e cila më parë ishte akuzuar për përdorim të tepërt të dhunës, përdorën gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.
Protestat e “jelekverdhëve” filluan në nëntor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Ato vazhduan çdo fundjavë deri në pranverë të këtij viti.
Presioni i protestave të vazhdueshme e detyroi presidentin francez, Emmanuel Macron, që ta publikojë dhe zbatojë planin për zvogëlimin e taksave dhe decentralizimin e qeverisë, shkruan “BBC”.