Edhe Britania e Madhe fajëson Iranin për sulmet në Arabinë Saudite - Bota Sot
Edhe Britania e Madhe fajëson Iranin për sulmet në Arabinë Saudite

Evropë

Edhe Britania e Madhe fajëson Iranin për sulmet në Arabinë Saudite

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 08:18
Ilustrim

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se vendi i tij beson që Irani është përgjegjës për sulmet me dronë në stacionet e naftës në Arabinë Saudite. Deklarata e tij e ka ngritur mundësinë që ushtria britanike të përfshihet në dhënien e ndihmës për Arabinë kundër sulmeve të ardhshme.

Duke folur para gazetarëve gjatë udhëtimit të tij me aeroplan drejt Nju Jorkut për asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri britanik tha se ekziston një shkallë e lartë e mundësisë që Irani të ketë qenë prapa sulmeve me dronë dhe raketa në stacionet e naftës më 14 shtator.

Pasi e theksoi dëshirën e tij për të shmangur ndonjë dalje të situatës nga kontrolli, Johnson-i tha se rolin e Britanisë lidhur me këtë çështje e sheh si urë mes miqve evropianë dhe amerikanëve.

Përpos Britanisë së Madhe, fajin për këto sulme Iranit më parë ia kanë hedhur edhe Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite, të cilat nuk besojnë se rebelët “Houthi” i kanë kryer ato, ndonëse ky grup e mori përgjegjësinë për incidentin.

Kryeministri britanik ka planifikuar takime me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, gjatë qëndrimit në Nju Jork. Sidoqoftë, Franca dhe Gjermania nuk kanë dhënë qëndrim zyrtar për sulmet në Arabinë Saudite, shkruan “The Guardian”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...