Arrestohen disa "separatistë katalanas" që "bënin komplot për sulme"

Evropë

Arrestohen disa "separatistë katalanas" që "bënin komplot për sulme"

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 14:54
Pamje nga një marshim për pavarësi në Katalonjë.

Policia spanjolle tha se ka arrestuar nëntë njerëz, nën dyshimet për planifikimin e disa sulmeve të dhunshme, në përvjetorin e referendumit për pavarësinë e Katalonjës.

Policia i përshkroi të dyshuarit si separatistë katalanas dhe tha se ata po bënin komplot për sulme më 1 tetor.

Në këtë datë bëhen dy vjet nga referendumi për pavarësinë e Katalonjës, i cili është shpallur jolegal nga gjykatat spanjolle.

Autoritetet bastisën dhjetë adresa në Barcelonë, Sabadell dhe Santa Perpetua de Mogoda, mëgjesin e së hënës, ku thanë se kanë gjetur materiale për bërjen e bombave.

Referendumi i paautorizuar i Katalonjës më 2017 ka çuar në një krizë të vazhdueshme politike në Spanjë.

Rajonit i është pezulluar autonomia për gati shtatë muaj nga Madridi, për shkak të përpjekjes së dështuar për pavarësi.

Tensionet janë në rritje edhe para vendimeve për 12 liderët separatistë katalanas, që kanë organizuar përpjekjen për pavarësi.

Ata po gjykohen për rebelim - akuzë të cilën e mohojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat