Refuzohen kandidatët e Hungarisë dhe Rumanisë për Komisionin Evropian

Evropë

Refuzohen kandidatët e Hungarisë dhe Rumanisë për Komisionin Evropian

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 16:46
Rovana Plumb

Kandidatët për Komisionin Evropian nga Hungaria dhe Rumania kanë konflikte interesi që i dëmtojnë kandidaturat e tyre, thanë zyrtarë të BE-së.

Komisionarit të propozuar për Zgjerim të BE-së, hungarezit Laszlo Trocsanyi, dhe komisionares së caktuar të Transportit, rumunes Rovana Plumb, u është thënë se nuk mund të shkojnë në seanca dëgjimore të konfirmimit, për shkak të mospërputhjeve në deklarimet e tyre financiare.

Komiteti ligjor i Parlamentit të BE-së "votoi që kandidatja rumune për komisionare, Rovana Plumb, të mos shkojë në seancë dëgjimore", njoftoi në Twitter Thibaut Kleiner, ndihmës i komisionarit të BE-së për burime njerëzore, Guenther Oettinger.

Një zyrtar i Parlamentit tha se komiteti ligjor ka pasur shqetësime të njëjta edhe për Trocsanyin.

Seancat dëgjimore janë parakusht për emërimet zyrtare, përpara se Komisioni i ri Evropian të nisë detyrën në nëntor.

Komiteti ligjor i Parlamentit të BE-së e ka fuqinë t'i pezullojë seancat dëgjimore të të caktuarve për komisionarë, nëse pas vlerësimit të deklarimeve të tyre financiare del se ata kanë konflikte interesi.

Plumb, ish-ministre e Mjedisit, thuhet se është thirrur para komitetit për të shpjeguar tutje një kredi për financimin e një fushate zgjedhore.

Trocsanyi është aleat politik i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, vendi i të cilit me vite e ka zemëruar Brukselin për çështje të sundimit të ligjit. Hungaria dhe Rumania tani do të duhet të propozojnë kandidatë të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat