Mbretëresha britanike kërkoi këshilla për shkarkimin e kryeministrit Johnson

Evropë

Mbretëresha britanike kërkoi këshilla për shkarkimin e kryeministrit Johnson

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 15:44
Mbretëresha britanike

Mediat lokale njoftojnë se mbretëresha e Britanisë së Madhe ka pranuar këshilla se si ta shkarkojë kryeministrin Boris Johnson nga qeveria pas vendimit të javës së kaluar të Gjykatës Supreme se pezullimi i parlamentit nga ana e Johnsonit ishte “i paligjshëm”.

E përditshmja britanike “I” shkruan se mbretëresha ka pyetur ndihmësit e saj për sqarime se kur dhe si mund të shkarkojë një kryeministër që refuzon të tërhiqet. Raportimi bazohet në një informatë nga burim anonim.

Sipas raportimit, Johnson ka telefonuar mbretëreshën pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila e shpalli si të pavlefshëm pezullimin pesëjavor të Parlamentit, që personalisht t'i kërkojë falje për atë se e kishte këshilluar për të pezulluar legjislaturën.

“Një burim i mirëinformuar më tha se mbretëresha, për herë të parë në mbretërimin e saj, ka kërkuar këshillë për shkarkimin e kryeministrit pas vendimit të Gjykatës Supreme”, thuhet në tekstin e autorit Ian Birrell në të përditshmen britanike.

Sipas raportimit, është paqartësi në Kushtetutën Britanike se mbretëresha ka disa të drejta diskrecionale, që përfshijnë edhe të drejtën për të emëruar kryeministrin dhe ministrat tjerë.

Komiteti i Zgjedhjeve në Dhomën e Përfaqësuesve i themeluar në vitin 2003 thotë se këtu gjithashtu përfshihet edhe e drejta e sovranit për të vepruar në një “krizë të thellë kushtetuese” në kundërshtim, madje edhe pa këshillat ministrore.

Nga pallati mbretëror britanik nuk kanë komentuar në lidhje me këtë.

Paqartësia politike në Britani vazhdon rreth çështjes kontroverse të Brexitit pasi partitë opozitare veçse janë pajtuar të veprojnë kundër një dalje totale nga BE pa marrëveshje.

E udhëhequr nga lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, raportohet se opozita po shqyrton idenë e krijimit të një qeverie të përkohshme në rast se ata fitojnë një votë mosbesimi të propozuar kundër kryeministrit Johnson.

Nëse Johnson humb një votë të tillë të cilën vështirë se mund ta fitojë gjatë dy javëve, ai do të duhet të tërhiqet dhe mbretëresha mund të kërkojë nga çdo kryeministër që mund të sigurojë shumicë të votave në Dhomën e Përfaqësuesve për të formuar një qeveri të re të përkohshme deri në zgjedhjet e ardhshme.

Johnson ka thënë se nuk do të kërkojë një prolongim të ri nga BE, përkundër ligjit që ndalon një Brexit pa marrëveshje dhe i bën thirrje kryeministrit që të kërkojë një prolongim të tillë nëse një marrëveshje nuk mund të arrihet me BE-në deri në 19 tetor.

Britania duhet të braktisë BE-në më 31 tetor dhe perspektivat e një marrëveshjeje po zvogëlohen pasi zyrtarët e BE-së thonë se nuk kanë pranuar plane të reja pune për të zëvendësuar marrëveshjen për çështjen e kufirit irlandez, që ka qenë pjesa më problematike e marrëveshjes e arritur nga ish kryeministrja Theresa May.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat