Mijëra demonstrues marshuan në Kiev kundër planit të Presidentit Volodymyr Zelenskiy për të mbajtur zgjedhje lokale në territorin lindor të Ukrainës që është nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Protestuesit në këtë tubim e denoncuan planin si kapitullim ndaj Rusisë.
Më 1 tetor, Ukraina, Rusia dhe ndërmjetësit nga Gjermania dhe Franca nënshkruan një marrëveshje tentativë me separatistët për udhëzimet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Ukrainën lindore.
Zelenskiy e ka cilësuar marrëveshjen si një hap të domosdoshëm ndërmjetës përpara organizimit të një samiti me drejtuesit e Rusisë, Francës dhe Gjermanisë për të bërë presion për një marrëveshje paqeje.
Në qytetin lindor Kharkiv të Ukrainës, i cili është nën kontrollin e Kievit, rreth 300 njerëz u mblodhën jashtë selisë së administratës shtetërore rajonale të dielën për të protestuar ndaj planit zgjedhor.
Pjesëmarrës të organizatave publike, aktivistë dhe përfaqësues të partive politike u bashkuan në protestën në Kharkiv.
Kërkesa e tyre kryesore është për një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Rajonal në Kharkiv në mënyrë që të hartojë një ankesë zyrtare kundër planit - në veçanti, futjen e një statusi të veçantë për rajonin Donbas dhe heqjen e trupave të qeverisë ukrainase nga vijat e tanishme të frontit./VOA