Deputetët britanikë zhvillojnë javën tjetër seancën vendimtare për Brexit - Bota Sot
Deputetët britanikë zhvillojnë javën tjetër seancën vendimtare për Brexit

Evropë

Deputetët britanikë zhvillojnë javën tjetër seancën vendimtare për Brexit

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 14:15
Disa protestues para parlamentit britanik.

Deputetët britanikë janë thirrur që të jenë pjesë e një seance speciale të shtunën, meqë kjo ditë konsiderohet vendimtare për procesin e Brexitit, apo largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Parlamenti do të takohet më 19 tetor pas samitit të Bashkimit Evropian, në të cilin ekziston mundësia e fundit që Britania dhe blloku evropian të arrijnë një marrëveshje para 31 tetorit.

Nëse arrihet ndonjë marrëveshje, kryeministri britanik, Boris Johnson do të kërkojë miratimin e deputetëve britanikë, mirëpo nëse nuk ndodh një gjë e tillë, një varg skenaresh tjera janë të disponueshme.

Johnson ka thënë me bindje se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, pavarësisht legjislacionit i cili detyron atë t’i kërkojë BE-së një shtyrje tjetër të Brexitit, nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 19 tetor, apo përveç nëse deputetët arrijnë pajtueshmëri për Brexit pa marrëveshje.

Parlamenti britanik është mbledhur vetëm në katër të shtuna nga viti 1939, duke përfshirë 2 shtatorin e atij viti, si pasojë e nisjes së Luftës së Dytë Botërore.

Negociatat në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Britanisë janë duke vazhduar ende, derisa në qendër të tyre mbetet ndalesa në kufirin irlandez, politikë e diskutuar në mes të ish-kryeministres britanike, Theresa May dhe BE-së, me qëllim të parandalimit të një kufiri të ashpër në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës.

Një ditë më parë, burime të Qeverisë britanike kanë thënë se marrëveshja për Brexit, apo për daljen e Britansë nga Bashkimi Evropian, "është në thelb e pamundur".

Ky vlerësim, sipas BBC-së, pason një bisedë telefonike të kryeministrit të Britanisë, Boris Johnson, me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...