Greta Thunberg: Nëse nuk e bëjnë ata, do ta bëjmë ne

Evropë

Greta Thunberg: Nëse nuk e bëjnë ata, do ta bëjmë ne

Më: 12 tetor 2019 Në ora: 09:34
Greta Thunberg

Aktivistja e njohur nga Suedia, Greta Thunberg, ka thënë gjatë një tubimi në Denver të Shteteve të Bashkuara se rinia e botës duhet të jetë e përgatitur për të protestuar për një kohë të gjatë për të kërkuar masa ndaj ndryshimit të klimës dhe të mos zmbrapset nga kjo kërkesë.

Nxënësja e famshme gjithashtu tha se ajo dhe aktivistët e tjerë që janë me të nuk do t’iu përgjërohen atyre që janë në pushtet që të veprojnë, sepse ajo pret që liderët të vazhdojnë t’i lënë anash aktivistët.

“Ne do t’u themi atyre se nëse këtë gjë nuk e bëjnë ata, do ta bëjmë ne. Bota është duke u zgjuar dhe ne jemi ndryshimi. Ndryshimi është duke ardhur, e deshët ju apo jo”, tha aktivistja 16 vjeçe para një grumbulli të madh të njerëzve.

Ajo përsëri i kritikoi liderët botërorë që nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për ta luftuar ndryshimin e klimës dhe se e kanë injoruar shkencën. Thunberg e përsëriti pyetjen e saj të famshme, të cilën e përdori edhe gjatë fjalimit në Kombet e Bashkuara, “Si po guxoni?”

Aktivistja e njohur kishte nisur të protestonte në mënyrë individuale para kuvendit të Suedisë në gusht të vitit të kaluar. Ajo e linte mësimin një herë në javë për të protestuar kundër ndryshimit të klimës.

Protesta e saj, e quajtur “Të premtet për të ardhmen”, i ka motivuar miliona njerëz në mbarë botën që të protestojnë dhe të kërkojnë më shumë masa kundër ngrohjes globale, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat