Marrëveshja e Brexit në tehun e thikës

Evropë

Marrëveshja e Brexit në tehun e thikës

Më: 19 tetor 2019 Në ora: 11:54
Parlamenti britanik

Rezultati mund të jetë shumë i ngushtë, por pasi disa deputetë të opozitës sinjalizuan, se do ta mbështesin marrëveshjen e re për Brexit, ka gjasa që kryeministri, Johnson të arrijë të fitojë votimin në Dhomën e Ulët.

Disa gazetarë në Londër merreshin sipas modës së vjetër me listat e emrave të deputetëve kush do të ishte pro e kush kundër, të tjerë vrisnin mendjen për rezultatet në tabelat excel. E premtja ishte ditë intensive për asistentët e Boris Johnsonit në grupin parlamentar konservator në Dhomën e Ulët të parlamentit britanik. Ata duhej të përpunonin edhe deputetët laburistë të gatshëm për të ndryshuar rrugë nga bindja, se një „deal” i kryeministrit është më i mirë se „no deal”.

Rezultati shumë, shumë i ngushtë

„Nuk ka rezultat më të mirë, se ai që ka sjellë nga Brukseli, u betua kryeministri, Boris Johnson në mbrëmje në intervistë para publikut britanik. Kur të shtunën në mbrëmje, marrëveshja të ketë marrë miratimin e parlamentit, atëherë do të kujdesemi më në fund për gjëra të tjera dhe ta lemë pas vetes këtë temë të vështirë. Me këtë argument, Johnson përpiqet të bëjë për vete opinionin në Britaninë e Madhe. E sipas sondazheve ai ka prekur me këtë nervin e shumë britanikëve.

Por shumica e deputetëve në Dhomën e Ulët e dinë, se pas Brexit fillon puna e vërtetë në negociatat me BE. Disa fronte janë të paqarta në Dhomën e Ulët, sepse opozita laburiste, partia skoceze, SNP dhe liberalët do të votojnë kundër marrëveshjes. Boris Johnson, që marrëdhënien e ardhshme të BE e sheh të reduktuar në një minimum afrimiteti, planifikon një konkurrencë negative për të drejtat e punëtorëve, mjedisin apo konsumatorët, thonë ata. Partia irlandezoveriore, DUP është e zemëruar, sepse Johnson ka sakrifikuar një gjë të shenjtë, unitetin e Britanisë së Madhe, prandaj edhe kjo parti do t’i thotë jo marrëveshjes.

Boris Johnson i ka 260 vota të konservatorëve besnikë, por atij i nevojiten 320 vota për të arritur shumicën. Nëse do të fitojë, atëherë duhet që ai të bëjë për vete 20 deputetët e Tory-t, që i ka përjashtuar nga partia. Shumë prej tyre e kanë pohuar mbështetjen për këtë „deal” të ri, të tjerë si ish-ministri i Financave, Philip Hammond duan të votojnë, vetëm, nëse Johnson jep garanci të tjera, se ai nuk do të realizojë një Brexit të ashpër nga dera e pasme.

Kërcënon vërtet një Brexit i ashpër nga dera e pasme?

Kjo pyetje hap një front të ri përplasjeje mes përkrahësve Brexitit të ashpër dhe konservatorëve të moderuar. Një nga përkrahësit e vijës së ashpër, John Baron, tha në një intervistë televizive, se ai ka marrë mbështetje nga ministra, se qeveria do ta lerë me një Brexit të ashpër fazën e tranzicionit në fund të vitit 2020, nëse nuk është arritur deri atëherë një marrëveshje tregtare. Por nga përvoja, duket e pamundur, që të arrihet kaq shpejt një marrëveshje tregtare me Britaninë e Madhe, sepse për këtë nevojitet një kohë e gjatë negociimi për detajet. Me këtë premtim, bëhet një përpjekje për të bërë për vete „spartanët”, ata përkrahës të vijës së ashpër që nuk i pëlqyen kompromiset që bëri Johnson për Irlandën e Veriut. Johnson ka nevojë për 30 votat e tyre. Në të njëjtën kohë ai premtoi në BBC, se nuk synon një konkurrencë negative.

Qeveria britanike ka dalë në opinion dhe i premton kujtdo atë që dëshiron të dëgjojë. Kjo i tremb nga ana e saj të moderuarit, si Hammond. Ndërkohë që 10 deputetë laburistë u shprehën, se do ta mbështesin marrëveshjen e daljes nga BE. Ata mendojnë, se një „deal” është më mirë se asnjë marrëveshje, ose ata përfaqësojnë ato zona zgjedhore, ku shumica e ka dhënë votën për daljen nga Britania e Madhe. Nëse nuk ka ndryshime të mëdha, Johnson mund të arrijë të marrë një shumicë shumë, shumë të ngushtë me 1 ose 2 vota. Por e sigurtë nuk është asgjë.
Në një kohë që deputetët vendosin për fatin e britanikëve, ata vetë do të protestojnë të shtunën. 170 autobusë nga e gjithë Britania e Madhe. Organizatorët presin afër 1 milionë vetë në Londër. Numri dy i partisë laburiste, John McDonnell do të dalë dhe do të mbështesë kërkesën e protestuesve për një referendum të dytë. Ndoshta kjo mund të jetë ngritja e dallgës së fundit të Britanisë së Madhe kozmopolite para Brexit, dhe në fund të mund të kthehet në një ditë të trishtë. / DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat