Johnson: Vonesat e mëtejshme janë të pakuptimta dhe në dëm të publikut - Bota Sot
Johnson: Vonesat e mëtejshme janë të pakuptimta dhe në dëm të publikut

Evropë

Johnson: Vonesat e mëtejshme janë të pakuptimta dhe në dëm të publikut

Më: 19 tetor 2019 Në ora: 16:05
Boris Johnson

Një demonstrim i madh në të cilin kërkohet një referendum i dytë për Brexitin po mbahet në Londër ndërkohë që deputetët janë mbledhur për votimin e marrëveshjes së re që kryeministri Boris Johnson arriti me liderët e BE në Bruksel, një vendim ky që do të bënte që Britania e Madhe të dilte nga unioni këtë muaj ose që do ta zhyste vendin në paqartësi të reja.

Parlamenti britanik u mblodh në një ditë të shtunë, për të parën herë që nga lufta e ishujve Falklands në 1982, për të debatuar mbi kushtet e marrëveshjes së fundit të divorcit.

Partitë e opozitës dhe aleatët e Johnsonit, irlandezo veriorë, e kanë kundërshtuar marrëveshjen, por kryeministri dhe ekipi i tij, kanë kaluar 48 orët e shkuara në përpjekje të ethshme për të fituar mbështetjen e deputetëve të lëkundur.

Vota konsiderohet shumë e paparashikueshme, por Johnson ka paralajmëruar se marrëveshja e tij është mënyra më e mirë për të dalë nga procesi torturues i Brexitit që e ka zhytur Britaninë në trazira politike që nga referendumi i 2016.

“Çfarëdolloj justifikimi që ju mund të nxirrni për ta detyruar qeverinë të shtyhet në kohë, nuk mund të ndryshojë gjykimin tim se vonesat e mëtejshme janë të pakuptimta, të kushtueshme dhe në dëm të publikut britanik”, ka thënë Johnson.

Johnson do që Britania ti japë fund anëtarësisë së saj 46 vjecare në BE, brenda 31 tetorit dhe kërkon një votë të qartë që miraton apo refuzon marrëveshjen e divorcit. Por deputetët po kërkojnë që një amendament për miratimin e marrëveshjes të mbetet pezull deri sa të miratohet i gjithë legjislacioni i nevojshëm për implementim.

Ata druajnë se edhe nëse marrëveshja miratohet, nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për të diskutuar para 31 tetorit, që do të çonte në një Brexit pa marrëveshje në mënyrë aksidentale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat