A do të jenë zgjedhjet e dhjetorit zgjedhje për Brexit? - Bota Sot
A do të jenë zgjedhjet e dhjetorit zgjedhje për Brexit?

Evropë

A do të jenë zgjedhjet e dhjetorit zgjedhje për Brexit?

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 16:46
Mbretëri e Bashkuar

Mbretëria e Bashkuar do të mbajë zgjedhjet muajin e ardhshëm për shkak të mospajtimeve në parlament për Brexitin apo largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo në çfarë shkalle do të jetë largimi i këtij shteti nga blloku evropian, temë me rëndësi për votuesit britanikë?

Dhe, a do të jetë rezultati i zgjedhjeve tregues për disponimin e votuesve rreth Brexitit?

Ekzistojnë tri rrugë për të adresuar këtë pytje.

Çfarë thonë votuesit?

Metoda e parë është që të pyesim votuesit se cilat çështje mendojnë ata se janë të rëndësishme.

Sipas sondazhit të rregullt mujor të kompanisë Ipsos Mori, Brexiti ka qenë shqetësimi kryesor për votuesit në 12 muajt e fundit.

Kjo pasi, kur ata janë pyetur për të përmendur një çështje që i mundon, Brexiti është në rend të parë.

Në sondazhin e fundit të kësaj kompanie të zhvilluar në muajin shtator, rreth 57 për qind e respodentëve kanë përmendur Brexitin si çështjen me më së shumti rëndësi,

Asnjë temë tjetër nuk është përmendur më shumë se 3 për qind.

Megjithatë, kur atyre u është dhënë mundësi për të përmendur më shumë sesa një temë, sistemi shëndetësor përbën shqetësim gjithashtu.

Krimi, imigrimi dhe ekonomia, janë të rëndësishme për gati një çerek të votuesve.

Si ndihen votuesit e partive të ndryshme?

Anketat tjera tregojnë se për çështjen e Brexitit, votuesit bregosen varësisht se në cilën parti janë.

Të gjitha sondazhet sugjerojnë se Brexiti ka më shumë rëndësi për personat që kanë thënë se do të votojë për Partinë Konservatore apo Partinë për Brexit.

Shkalla e shqetësimit për këtë temë është më e vogla në mesin e mbështetëve të Partisë Laburiste.

Sondazhet po ashtu kann treguar se largimi i Britanisë nga blloku evropian është më i rëndësishëm për votuesit që dëshirojnë që ky proces të ndodhë (53 për qind), në krahasim me 32 për qind që dëshirojnë të jetë ende pjesë e BE-së.

Votimi për apo kundër Brexitit?

Tani kemi arritur në pikën e dytë.

Më shumë se 78 për qind e personave që kanë votuar për largim të Britanisë nga BE-ja do të votojnë Partinë e Brexitit apo konservatorët.

Ndërkohë 81 për qind e personave që kundërshtojnë Brexitin kanë thënë se mbështesin një referendum të dytë.

Sondazhet po ashtu kanë gjetur se vetëm një në pesë persona që kanë votuar në referendumin e vitit 2016, mbështetesin një parti që ka qëndrime ndryshe prej qëndrimit që ka pasur më 2016.

A është bërë Brexiti më i rëndësishëm?

Nëse mënyra se si votojnë shumica e njerëzve e reflekton pikëpamjen e tyre për Brexitin, a do të thotë se kjo çështje ka më shumë rëndësi se në vitin 2017?

Kjo është qasja e tretë e pyetjes fillestare.

Natyrisht, qëndrimi i disa partive për Brexitin nuk është i njëjti tani, sikurse ka qenë më 2017.

Për shembull, derisa laburistët kanë thënë se përkrahin një ton më të “butë” të Brexitit për dallim nga konservatorët, kjo parti fillimisht nuk pati pranuar një referendum të dytë.

Prandaj duke pasur këtë aspekt parasysh, duket se në këto zgjedhje më pak votues do të japin votën e tyre për partinë që ka pikëpamje ndryshe prej tyre në çështjen e Brexitit.

Mbretëria e Bashkuar do të zhvillojë zgjedhjet më 12 dhjetor, pas shtyrjes së tretë të largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian deri më 31 janar të vitit 2020.

Johnson shpreson se do të fitojë shumicën e ulëseve, në mënyrë që të miratojë në parlament marrëveshjen e arritur me BE-në, ndërkohë që Corbyn ka premtuar se do të organizojë referendum të ri, nëse fiton pozitën e kryeministrit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë në ditën e shpalljes së zgjedhjeve se publiku duhet “të zgjedhë” për të ardhmen e Brexitit por edhe të gjithë shtetit.

Lideri i laburistëve në Britani, Jeremy Corbyn është zotuar për të “transformuar” Britaninë teksa ka nisur fushatën zgjedhore.

Corbyn ka premtuar se do të “rindërtojë” shërbimin publik dhe do të shënjestrojë “menaxherët e këqij dhe ndotësit e mëdhenj”. Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​/REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat