Zgjedhjet presidenciale në Rumani: Iohannis kalon në balotazh

Evropë

Zgjedhjet presidenciale në Rumani: Iohannis kalon në balotazh

Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 10:15
Klaus Iohannis

Në Rumani presidenti aktual Klaus Iohannis, i cili rikandidoi për postin, kryeson rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të dielën, por ai nuk arriti shumicën e duhur për fitoren.

Klaus Iohannis, presidenti rumun në sondazhet e fundit të Institutit IMAS ishte në epërsi me 45,7 % të votave. Por rezultatet e arritura të dielën ishin më të dobëta se parashikimi i sondazheve. 60 vjeçari arriti të marrë 39% të votave, por nuk arriti shumicën absolute në zgjedhjet e së dielës. Pas dy javësh Iohannis duhet të dalë sërish në balotazh kundrejt kandidates socialdemokrate, ish-kryeministre deri para një jave, Viorica Dancila, që zuri vendin e dytë, sipas prognozave të deritanishme me 22,5%. 

Iohannis e përshëndeti rezultatin si një votë e qartë kundër PSD-së së Dancilas. "Asnjëherë më parë nuk kanë votuar kaq qartë rumunët kundër PSD-së". Për Rumaninë, kjo do të thotë një hap të qartë përpara", tha Iohannis, i cili u bëri thirrje votuesve të dalin në zgjedhje më 24 nëntor. "Ejani në votime, që të nxjerrim përfundimisht mënjanë PSD".

Image
Viorica Dancila

Konkurrentja e Klaus Iohannis, Viorica Dancila, deri para një jave ishte kryeministre e Rumanisë, por u rrëzua në parlament pas një vote mosbesimi. Ajo përfaqësonte një politikë në drejtësi, të kritikuar ashpër nga BE, që sipas kritikëve, favorizonte politikanët e dyshuar për korrupsion. Pasues i saj është tani Ludovic Orban, kreu i partisë qytetare PNL. Presidenti mbështetet në zgjedhjet presidenciale nga partia qytetare PNL. Kjo parti është në pushtet prej javës së kaluar, pas votës së mosbesimit ndaj qeverisë së ish-kryeministres Viorica Dancila.

Image
Ludovic Orban

Qeveria e Ludovic Orbanit pa shumicë

Kabineti i ri qeveritar i krijuar të hënën e kaluar nuk e ka shumicën për qeverisje. Ndaj kryeministri i ri Orban, nga partia e dikurshme e presidentit Iohannis PNL, do të ketë probleme me qeverisje, pavarësisht nëse do të ketë apo jo mbështetjen e BE në realizimin e reformave në drejtësi. Ndaj është e mundur që në Rumani së shpejti të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat