Policia e Parisit ka hedhur gaz lotsjellës në pjesën veriperëndimore të kryeqytetit francez të shtunën për t’i shpërndarë protestuesit që po e shënonin njëvjetorin e protestave të jelekverëdhëve, të cilat kishin zgjatur disa muaj.
Në pjesën jugore të qytetit, protestuesit e veshur me rroba të zeza dhe fytyra të mbuluara ua vunë flakën kontejnerëve të mbeturinave, vendosën barrikada në rrugë dhe e sulmuan policinë.
Policia ndërhyri kur disa protestues po përpiqeshin ta bllokonin unazën e Parisit. Deri në orën 11 e 30, forcat e sigurisë njoftuan se i kanë arrestuar 33 persona.
Protestat e jelekverdhëve, të cilat e morën këtë emër nga jelekët me ngjyrë të dukshme që i vishnin protestuesit kur dilnin në rrugë, filluan në mesin e nëntorit të vitit 2018 për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve dhe kostos së lartë të jetesës. Më vonë, protestat u shndërruan në një kryengritje më të gjerë kundër presidentit Macron dhe reformave të tij ekonomike.
Muajve të fundit, vargu i protestave u zvogëlua nga dhjetëra mijëra pjesëmarrësve në vetëm disa mijërave, por organizatorët e tyre bënë thirrje për pjesëmarrje masive të shtunën për ta shënuar njëvjetorin e fillimit të kryengritjes.
Në fund të vitit 2018, në këto protesta kishin marrë pjesë deri në 300 mijë njerëz. Autoritetet morën vendim për ndalimin e protestave afër zonave turistike dhe i mbyllën stacionet e trenit, shkruan “The Guardian”.