Përmbytjet në Venecia; qyteti mbetet në alarm të kuq!

Evropë

Përmbytjet në Venecia; qyteti mbetet në alarm të kuq!

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 18:48
Foto

Venecia vazhdon të mbetet në alarm të kuq me më shumë përmbytje dhe erëra të forta të parashikuara për këtë fundjavë, pasi një baticë e jashtëzakonshme pushtoi kanalet e qytetit, ku autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës.

Kryebashkiaku Luigi Brugnaro, urdhëroi mbylljen e sheshit të Shën Markut të premten, ndërkohë që niveli i rritur i ujit dhe era e fortë u përplasën mbi rajon. Niveli i ujit arriti në 1.54 metra thellësi, pak para mesdite, më i ulët nga ai i regjistruar të martën, por mbetet ende i rrezikshëm.

“Jam i detyruar të mbyll sheshin për të evituar rreziqet e shëndetit për qytetarët…një katastrofë”, tha Brunjaro.

Pasdite, sheshi u rihap, ndërsa niveli i ujit u reduktua. Por, autoritetet e mbrojtjes civile paralajmërojnë për rrezikun e përmbytjeve të reja në rajonin e Venecias, të shtunën dhe në vijim. Kishat, dyqanet dhe shtëpitë në qytetin e mbrojtur nga UNESCO janë përmbytur me nivelin e ujit që të martën shënoi nivelin më të lartë në gjysmë shekulli.

“Venecia është gjunjëzuar”, tha Brunjaro “po flas për miliarda euro dëme.”

Kriza ka bërë që qeveria të akordojë një fond prej 20 milionë eurosh për të përballuar situatën ndërkohë që riparimi i dëmeve në qytet, do të jetë një sipërmarrje gjigante. Shumëkush, përfshirë kryebashkiakun e venecias, kanë fajësuar ngrohjen globale për përmbytjen dhe kanë paralajmëruar se qyteti i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore duhet të zgjohet dhe të përballet me rreziqet. Serenissima, siç quhet qyteti pluskues, ka 50 mijë banorë por pret çdo vit 36 milionë vizitorë nga e gjithë bota. Një projekt masiv infrastrukture, i quajtur MOSE, ka nisur që nga 2003 për të mbrojtur qytetin, por ai është shoqëruar me ezaurim fondesh, skandale korrupsioni dhe vonesa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat