Merkel: Do të bisedoj me Macron për hapjen sa më shpejtë të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Evropë

Merkel: Do të bisedoj me Macron për hapjen sa më shpejtë të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 10:08
Merkel dhe Macron

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, tha se do të bisedoj me presidentin e Francës Emmanuel Macron, për të krijuar kushtet për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ajo theksoi se dëshiron konsensus sa më të shpejtë për reformën e zgjerimi të Bashkimit Evropian.

Këto deklarata ajo i bëri pas takimit me homologun e saj kroat, Andrej Plenkoviç.

“I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë Bashkimit Evropian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Merkel.

“Ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar , që duhen ndryshuar, në procesin e zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse qysh sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël”- shtoi Merkel.

Sipas shefes së qeverisë gjermane reformimi i zgjerimit “duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi”.

Ajo paralajmëroi se reformimi nuk duhet të ketë si pasojë që BE-ja të tërhiqet nga premtimet e bëra.

Kancelarja gjermane ndodhet në Zagreb për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore të Evropës. Kroacia do të jetë kryetare e radhës e BE-së në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa Gjermania në gjysmën e dytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat