Katër të vdekur e 16 të zhdukur pas problemeve në anijen e imigrantëve në Mesdhe

Evropë

Katër të vdekur e 16 të zhdukur pas problemeve në anijen e imigrantëve në Mesdhe

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 14:20
Imigrantët

Katër persona kanë vdekur dhe 16 të tjerë janë shpallur të zhdukur pasi një anije imigrantësh me 78 imigrantë në të u përball me probleme gjatë lundrimit nga Maroku drejt Spanjës.

Shërbimi i shpëtimit detar në Spanjë i dërgoi një barkë, një helikopter dhe një aeroplan të martën në mbrëmje në ujërat e Mesdheut pas marrjes së lajmit nga një organizatë joqeveritare se një anije është jashtë kontrollit afër brigjeve të Marokut.

Një zëdhënëse e ekipeve të shpëtimit tha se shpëtimtarët i kanë nxjerrë 62 njerëz nga uji 36 milje në verilindje të enklavës spanjolle në Afrikë në orën 9 e 40 minuta të mbrëmjes.

“Tre persona ishin të vdekur. Ata u dërguan në Melilla, ku arritën në orën 11. Vdekja e personit të katërt u konfirmua më vonë. 58 persona mbijetuan dhe katër vdiqën”, shtoi ajo.

Kjo zyrtare njoftoi se një aeroplan dhe një barkë shpëtimi janë duke u përdorur për t’i kërkuar 16 personat e zhdukur dhe janë gjithashtu duke e kërkuar një anije tjetër që është nisur nga Maroku me 73 persona.

Ndryshe, 21 persona vdiqën të shtunën e kaluar afër ishullit Italian, Lampedusa, kur një anije me 170 imigrantë u përmbyt një milje larg bregdetit në kohën kur ishte duke u përcjellë nga rojet bregdetare.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, rreth 30 mijë njerëz kanë arritur në Spanjë përmes detit vetëm këtë vit, ndërsa 325 kanë vdekur duke u përpjekur të shkojnë në këtë vend, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat