Kryeministri i Maltës thotë se do të dorëhiqet në janar

Evropë

Kryeministri i Maltës thotë se do të dorëhiqet në janar

Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 09:13
Protestë për ndriçimin e vrasjes së gazetares, Daphne Caruana Galizia.

Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat ka njoftuar se do të tërhiqet nga pozita në janar të vitit të ardhshëm, derisa po vazhdon kriza për rastin e një gazetareje të vrarë.

Hetimet e deritashme për vrasjen, kanë çuar tek zyrtarët në qeverinë e tij.

Ai tha se do t'i kërkojë Partisë së Punës, e cila është në pushtet, që të fillojë procesin për të zgjedhur pasardhësin e tij, më 12 Janar.

Demonstruesit kanë kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme në lidhje me hetimin për vdekjen e gazetares hulumtuese, Daphne Caruana Galizia.

Ajo u vra nga një bombë e vendosur në makinë, në vitin 2017, ndërsa po hulumtonte një rast korrupsioni midis biznesit dhe elitës politike të Maltës.

Një biznesmen me lidhje të dyshuara me zyrtarë qeveritarë u akuzua për bashkëpunim në vrasjen e saj.

I dyshuari, biznesmeni, Yorgen Fenech, tha se është i pafajshëm për atë dhe akuza të tjera.

Ai u akuzua, pasi prokurorët refuzuan kërkesën e tij për imunitet nga ndjekja penale në këmbim të zbulimit të detajeve të komplotit të vrasjes.

Të dyshuar si të përfshirë në këtë krim janë edhe ish-shefi i shtabit të kryeministrit dhe një ish-ministër i Turizmit.

Që të dy dhanë dorëheqje javën e kaluar duke mohuar akuzat. Tre persona tjerë janë në paraburgim për kryerjen e vrasjes, të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit 2017.

Alfred dhe George Degiorgio dhe Vincent Muscat u paguan 150.000 euro, thotë akuza ndaj tyre.

Malta është shteti më i vogël anëtar i Bashkimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat