Macron, akuzon Turqinë për bashkëpunim me grupet e lidhura me ISIS-in

Evropë

Macron, akuzon Turqinë për bashkëpunim me grupet e lidhura me ISIS-in

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 09:04
Macron- Trump

Përçarjet mes vendeve anëtare të NATO-s dolën qartazi në pah gjatë samitit për shënimin e 70-vjetorit të themelimit të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, i cili po mbahet në Londër.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e akuzoi Turqinë për bashkëpunim me grupet e lidhura me ISIS-in, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, tha se komentet e homologut francez për vdekjen e trurit të NATO-s janë shumë të ulëta.

Në anën tjetër, presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, kërcënoi se do të vendosë veto ndaj planit të NATO-s për t’i mbrojtur vendet baltike dhe Poloninë, nëse aleanca nuk i cilëson zyrtarisht luftëtarët kurdë si grup terrorist. Kjo gjë u refuzua nga Pentagoni dhe presidenti francez.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e përsëriti thirrjen që shtetet anëtare t’i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes, duke paralajmëruar se do të vendosë sanksione tregtare ndaj tyre, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Presidenti francez kishte thënë më parë se truri i NATO-s ka vdekur, duke aluduar në ofensivën ushtarake të Turqisë në Siri pa ndonjë koordinim me vendet anëtare. Ai paralajmëroi se ISIS-i është duke u kthyer në Siri për shkak të veprimeve të Turqisë.

Macron-i reagoi edhe ndaj vendimit të Turqisë për blerjen e sistemit raketor rus, duke thënë: “Si është e mundur që Turqia të jetë anëtare e NATO-s dhe ta blejë sistemin rus, S-400. Teknikisht, kjo është e pamundur”, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat