Nën hijen e përçarjeve, po vazhdon edhe sot samiti i NATO-s

Evropë

Nën hijen e përçarjeve, po vazhdon edhe sot samiti i NATO-s

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 13:54
Foto

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën sot në një hotel luksoz në periferi të Londrës për të kërkuar përafrim qëndrimesh pas deklaratave akuzuese dhe kritikave të ashpra që ia dhanë njëri-tjetrit një ditë më parë për disa çështje të sigurisë dhe ekonomisë.

Pas takimit që zgjati tri orë në një hotel të shekullit të tetëmbëdhjetë, 29 liderët pritet të dalin me një deklaratë të përbashkët, ku do të theksohet përkushtimi i tyre ndaj NATO-s dhe përgatitja e aleancës ushtarake kundër kërcënimeve dhe sfidave të reja.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet të bëjë thirrje për unitet dhe t’ua përkujtojë liderëve se përkushtimi i tyre për ta mbrojtur njëri-tjetrin është thelbi i aleancës ushtarake, të themeluar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe dhjetë vende evropiane në vitin 1949 mbi parimet e mbrojtjes kolektive, pas shqetësimeve për zgjerimin e ish-Bashkimit Sovjetik.

“Pas shtatëdhjetë vjetësh, ne jemi të fortë si guri në përkushtimin tonë ndaj NATO-s dhe ndaj mburojës gjigante të solidaritetit që tashmë i mbron 29 shtete dhe rreth një miliard njerëz”, pritet të deklarojë kryeministri Johnson, sipas njoftimit paraprak të zyrës së tij.

Para se të fillonin takimet e aleatëve, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përshkroi organizatën si aleancën më të suksesshme në histori për shkak të aftësisë për të ndryshuar paralelisht me ndryshimet që kanë ndodhur në botë.

Sidoqoftë, dita e parë e samitit nuk u shënua me deklarata të ngrohta. Presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidenti turk, Rexhep Erdogan, e akuzuan njëri-tjetrin për çështje të ndryshme, përfshirë shpenzimet e vogla në fushën e mbrojtjes dhe ndërhyrjen ushtarake në Siri, shkruan “Free Europe”,

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat