Gara elektorale në Britaninë e Madhe - Kandidojnë edhe të përjashtuarit nga partia Torie

Evropë

Gara elektorale në Britaninë e Madhe - Kandidojnë edhe të përjashtuarit nga partia Torie

Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 14:34
Anne Milton dhe Philip Lee

Anne Milton dhe Philip Lee konkurrojnë për një mandat të ri parlamentar. Se si ndihet njeriu kur detyrohet të largohet nga partia e tij? Këtë e di mjaft mirë Philip Lee. Ai i nuk duronte dot më konservatorët, dhe kaloi tek opozita, tek liberaldemokratët. Ai i këmbeu frontet në mes të debatit që zhvillohej në Dhomën e Ulët të parlamentit. "Nuk ishte e thjeshtë. Unë kisha 27 vjet anëtar partie. Por Partia ime nuk ishte më e imja. Ata nuk janë më konservatorë të mirëfilltë. Nuk ishte e lehtë ta bëja një gjë të tillë. Unë kam qenë në të njëjtën parti në pjesën më të madhe të 27 vjetëve. Por partia ime më la, ajo nuk ishte më konservatore dhe parti unioniste. Nuk është më ajo që ka qenë."

Dhe arsyeja është Boris Johnson, kryeministri britanik. Në fushatën elektorale ai shpërndau ekipe kontrolli, kush nuk ndjek linjën e partisë dhe kursin e tij të Brexitit, përjashtohet. Ai nxorri gjithsej 21 deputetë nga grupi parlamentar, mes tyre edhe nipin e Winston Churchillit, ish-Prokurorin e Përgjithshëm dhe ish-ministrin e Financave. Anne Milton,  ish-deputete e Partisë Konservatore thekson: "Ai u thotë njerëzve atë që duan të dëgjojnë. Puna është si të thjeshtësohen gjërat." Edhe Anne Milton u përjashtua prej grupit parlamentar nga Johnsoni, sepse ajo është pro-europiane e bezdisshme për kryeministrin. Pas 27 vjetësh anëtarësimi në parti dhe shumë viteve si ministre. "E gjithë bota mendon se ne kemi humbur arsyen. Që një njeri i tillë, si një Trump i dytë të bëhet kryeministër. Një oportunist. Ai nuk beson në asgjë. Beson vetëm se i takon që të jetë kryeministër" ankohet Anne Milton.

Ndërkohë që Boris Johnson vazhdon të ngul kembë: "We will get Brexit done!"

Pretendimet e tij se është në gjendje të arrijë një marrëveshje me BE-në me një lëvizje gishti, janë gënjeshtër thonë kritikët.

Anne Milton nuk do që të jetë pjesë e kësaj politike dhe në zgjedhjet e ardhshme ajo kandidon si kandidate e pavarur. "Unë punoj pa u mbështetur nga ndonjë makineri partiake dhe jam krejt e pavarur. Zgjedhjet do jenë të vështira. Ekipi ynë është i vogël. Dhe im shoq më ndihmon po ashtu."

Ann Milton dhe Philip Lee shpresojnë që zgjedhësit do dinë ta vlerësojnë kur politikanët dalin nga dara partiake, sepse integriteti është për ta më i rëndësishëm se karriera politike.

Anne Milton: "Në çfarë besoj unë vetë? Cili është vizioni im? Unë besoj tek një vend që është zemërgjerë, që bashkëpunon me vendet e tjera, që e kupton se krejt vetëm nuk mund të shkohet shumë larg. Kjo është linja ime."

Philip Lee, deputet liberaldemokrat: "Pjesa më e madhe e njerëzve duan të kenë politikanë me parime. Atëherë nuk duhet të zgjedhin konservatorët. Sepse në krye të partisë së tyre nuk ndodhen ata që kanë cilësi të tilla. Unë i njoh ata personalisht."

Parimet janë një gjë, votat e zgjedhësve një gjë tjetër. Philip Lee dhe Ann Milton e dinë që tani duhet të punojnë me dyfishin e forcave. Të arrish të futesh në parlament me një parti të vogël ose krejt i vetëm është shumë e vështirë dhe çdo votë ka rëndësi për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat