Greva në Francë në ditën e pestë, paralizohet transporti publik

Evropë

Greva në Francë në ditën e pestë, paralizohet transporti publik

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Transporti publik mbetet një nga sektorët më të prekur nga greva për reformën e pensioneve që Franca përjeton prej 5 ditësh. Sindikatat kanë njoftuar manifestime të reja të martën ndërsa qeveria mbetet e vendosur për planin e saj.

Greva kombëtare kundër reformës së pensioneve në Francë hyri të hënën në ditën e pestë, dhe vazhdon të mbajë paralizuar jetën në vend.

Banorë dhe turistë të kryeqytetit e gjetën veten këtë fillimjavë mes linjave të pezulluara të metrove dhe autobusëve, trafikut të rënduar dhe aktiviteteve të mbyllura që në këtë sezon festiv kanë prekur veçanërisht bizneset.

"Nuk është e drejtë t'u mohosh njerëzve transportin publik. E gjitha do u kthehet kundër. Po humbasim ditën e punës. Kjo nuk është normale."

Qytetarët ndajnë qëndrimin se greva po ndërlikon veprimtaritë e 10 milionë banorëve të tjerë të Parisit, edhe pse aksioni i grevistëve është i drejtë.

Sistemi i ri i pensioneve i propozuar nga presidenti Emanuel Makron fut parimin e pikëve për ditë pune për të thjeshtuar sistemin aktual me 42 nënndarje.

Sindikatat druhen se në vitin 2025, reforma do të rritë artificialisht moshën e vjetërsisë në punë dhe do të shoqërohet me uljen e vlerës së pensionit.

Javën e kaluar, kundër reformës së pensioneve manifestuan nëpër Francë rreth 800 mijë qytetarë.

Demonstrata të tjera janë paralajmëruar për ditën e martë.

Të mërkurën kryeministri i vendit, Eduard Filip, do të zbulojë detajet e fundit të reformës, por është shprehur se nuk do e tërheqë propozimin aktual.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat