Shtetet e Bashkuara bllokojnë Organizatën Botërore të Tregtisë

Evropë

Shtetet e Bashkuara bllokojnë Organizatën Botërore të Tregtisë

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 10:55
Foto

Pengimi i funksionimit të rendit tregtar botëror dhe i Organizatës Botërore të Tregtisë nga Shtetet e Bashkuara ka shkuar në një nivel tjetër të martën për shkak se ky organ tashmë e ka humbur aftësinë për të ndërhyrë në luftërat tregtare në botë. Kjo gjë e ka vënë në rrezik të ardhmen e organizatës me seli në Gjenevë.

Dy vjet pasi e filluan bllokimin e emërimeve, Shtetet e Bashkuara më në fund do ta paralizojnë Trupin e Apelit të kësaj organizate, i cili e ka funksionin e një gjykate supreme për çështjet e tregtisë ndërkombëtare. Kjo gjendje do të shkaktohet pas largimit të dy prej tre anëtarëve të këtij organi, duke e pamundësuar marrjen e vendimeve legjitime.

Kështu, disa mosmarrëveshje të mëdha tregtare, përfshirë konfliktin e Shteteve të Bashkuara me Kinën dhe taksat për metalet, të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do të mund të zgjidhen më përmes Organizatës Botërore të Tregtisë.

Analistët thonë se kjo gjendje nënkupton kthim në periudhën e marrëveshjeve të paqëndrueshme pas Luftës së Dytë Botërore. Organizata Botërore e Tregtisë ishte themeluar në vitin 1995 pikërisht për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në këtë organizatë, Joao Aguiar Machado, tha para përfaqësuesve të tjerë në Gjenevë se paralizimi i Trupit të Apelit paraqet rrezik për krijimin e një sistemi marrëdhëniesh ekonomike të bazuar në fuqi e jo në rregulla.

Ndryshe, Organizata Botërore e Tregtisë, pjesë e së cilës janë 164 shtete, ka dështuar të arrijë ndonjë marrëveshje ndërkombëtare që nga përfundimi i negociatave të Doha-s në vitin 2015, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat