Dhjetëra mijëra italianë protestojnë kundër djathtistit ekstrem, Matteo Salvini

Evropë

Dhjetëra mijëra italianë protestojnë kundër djathtistit ekstrem, Matteo Salvini

Më: 15 dhjetor 2019 Në ora: 10:10
Foto ilustrim

Dhjetëra mijëra persona i janë bashkuar një proteste të shtunën në Romë kundër liderit të së djathtës ekstreme, Matteo Salvini, i njohur më së shumti për qëndrimet e tij kundër imigrantëve.

Këto protesta u organizuan nga lëvizja “Sardelet” dhe fillimisht u mbajtën muajin e kaluar në qytetin e Bolonjës, kur i riu Mattia Santori dhe tre miq të tij i ftuan të tjerët për të protestuar kundër partisë së Salvini-t, i cili është bërë figurë mjaft e popullarizuar para zgjedhjeve në rajonin Emilia-Romagna.

Salvini shpreson të shënojë fitore në zgjedhjet e 26 janarit në rajonin e pasur. Ai thotë se nëse i humb këto zgjedhje, duhet të largohet nga koalicioni qeveritar dhe të hapet rruga për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme.

Studentë, pensionistë dhe prindër më fëmijë e mbusëhn sheshin “San Giovanni” në Romë gjatë një pasdite me diell.

“Jam këtu sepse jam kundër Salvini-t dhe jam kundër së djathtës dhe dua të shoh sa njerëz ndihen si unë”, tha Flavia Simula, biologe e dalë në pension.

Që nga protesta e parë me 15 mijë persona në Bolonjë, popullariteti i këtyre tubimeve është rritur dhe përhapur edhe në pjesët e tjera të Italisë.

Kjo organizatë ka organizuar protesta masive edhe në qytetet më të mëdha, si Torino dhe Milano.

Sidoqoftë, duket se protesta e së shtunës në Romë ishte tubimi më i madh deri tash. Një polic që po e përcillte gjendjen e tubimit vlerësoi se në këtë protestë ndodhen rreth 40 mijë persona, ndonëse organizatorët nuk dhanë ndonjë shifër.

Salvini e ka akuzuar partinë e qendrës së majtë, Partinë Demokratike, se qëndron prapa këtyre protestave. Ai madje është tallur me protestuesit, duke thënë se i pëlqejnë kotelet, sepse ato i hanë sardelet, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat