Kush është presidenti i ri i Kroacisë i cili e quajti Vuçiqin çetnik

Evropë

Kush është presidenti i ri i Kroacisë i cili e quajti Vuçiqin çetnik

Më: 7 janar 2020 Në ora: 13:16
Zoran Millanoviq

Zoran Millanoviq, kandidati i PSD të Kroacisë u zgjodh president i ri i Kroacisë.

Ai në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale e mundi presidenten aktuale Kolinda Grabar Kitanoviq për më shumë se 105.000 vota.

Pas përpunimit të 99,85 për qind të vendvotimeve, ish kryeministri kroat ka fituar 52,70 për qind, gjegjësisht 1.031,204 vota, derisa Grabar Kitanoviq ka fituar 47,30 për qind dhe 925.764 vota.

“Fitore – siç ju kam premtuar” ka thënë Millanoviq të tubuarve në shtabin e tij.

Zoran Millanoviq (54) është presidenti i ri i Kroacisë dhe ish kryeministri i cili u kthye në politikë pas gati katër vjet pauze gjatë të cilës ka punuar në një firmë konsulente të cilën e ka themeluar pasi në zgjedhjet e vitin 2016 pësoi disfatë Koalicioni Popullor në krye të cilit ishte.

Karriera politike e Millanoviqit ka filluar në vitin 2007, pas vdekjes së kreut të Partisë Socialdemokrate Ivica Raçan, kur në zgjedhjet brenda partiake u zgjodh trashëgimtar i tij.

Si lider i PSD ishte deputet në parlamentin kroat (Sabor) derisa kjo parti ishte në opozitë.

Pas fitores së koalicionit të ashtuquajtur”Kukuriku” në vitin 2011, Millanoviq u bë kryeministër, dhe mandati i tij ka shënuar hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Pas zgjedhjeve të vitit 2015 koalicioni i tij mbeti pa shumicën absolute, dhe pas përpjekjeve të pasuksesshme ta krijojë qeverinë, dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë dhe hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Më pas e themeloi firmën konsulente EuroAlba Advisory, dhe në fillim të punës së tij në këtë firmë zbuloi se e ka këshilluar kryeministrin shqiptar Edi Rama, por jo edhe për kënd tjetër ka punuar.

Gjatë katër vjetëve të pauzës, Millanoviq ishte gati plotësisht i shkyçur nga publiku.

Gjatë mandatit të tij të kryeministrit i cili zgjati tri vjet e gjysmë, Millanoviq ka kaluar “nga gjembat në yje”, ka përjetuar ovacione por edhe dëshpërime.

Derisa ishte në opozitë ka pohuar se kryeministrja e atëhershme Jadranka Kosor po e turpëron Kroacinë, ndërsa kryetarin aktual të qytetit të Zagrebit Millan Bandiq e ka quajtur kriminel.

Derisa ishte kryeministër ai ka nisur luftën tregtare me Serbinë dhe presidentin aktual të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili atëbotë ishte kryeministër e quajti çetnik.

Shumica në Kroaci e konsiderojnë Millanoviqin më tepër si politikan i konflikteve sesa i dialogut, ata thonë se ai dëshiron të jetë në klinç, i duron goditjet e ulëta por edhe godet fortë dhe pa mëshirë.

Millanoviq është me profesion jurist, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat