Kryeministri francez bën ofertë për sindikatat rreth reformës pensionale

Evropë

Kryeministri francez bën ofertë për sindikatat rreth reformës pensionale

Më: 12 janar 2020 Në ora: 10:55
Kryeministri i Francës, Edouard Philippe

Kryeministri i Francës, Edouard Philippe, ua ka bërë një ofertë serioze sindikatave të punëtorëve në lidhje me reformat në sistemin pensional, të cilat u kundërshtuan ashpër nga punëtorët e sektorit publik. Grevat e punëtorëve tashmë kanë hyrë në javën e pestë.

Philippe tha përmes një letre se është i gatshëm t’i tërheqë planet për ngritjen e moshës së pensionimit për pension të plotë, nëse përmbushen disa kushte të caktuara.

“Kompromisi që po e ofroj më duket se është rruga më e mirë për ta reformuar në mënyrë paqësore sistemin tonë pensional”, thuhet në këtë letër.

Ai e bëri këtë kompromis pas bisedimeve mes qeverisë dhe sindikatave tregtare, të cilat dështuan të premten.

Sindikata CFDT e mirëpriti këtë ofertë, duke thënë se ky kompromis e paraqet vullnetin e qeverisë për të gjetur një zgjidhje.

Oferta e qeverisë franceze erdhi në kohën kur dhjetëra mijëra punëtorë kanë protestuar në Paris.  Pakënaqësi më të mëdha kanë shfaqur punëtorët e hekurudhave, por në protesta kanë marrë pjesë edhe punëtorët e sektorëve të tjerë, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat