Monitorimi në internet: "Reporterët pa kufij" kundër Shërbimit të fshehtë gjerman - Bota Sot
Monitorimi në internet: "Reporterët pa kufij" kundër Shërbimit të fshehtë gjerman

Evropë

Monitorimi në internet: "Reporterët pa kufij" kundër Shërbimit të fshehtë gjerman

Më: 16 janar 2020 Në ora: 15:32
Senati i parë i Gjykatës Kushtetuese Gjermane po diskuton aktualisht për ligjshmërinë e monitorimit të internetit nga ana e Shërbimit të Fshehtë Gjerman, BND

Shërbimi i fshehtë gjerman (BND) monitoron internetin në të gjithë botën - me ligj. Gazetarët e huaj duan të rrëzojnë ligjin.

Pa Edward Snowden, ligji për Shërbimin e Fshehtë Gjerman (BND), i reformuar në vitin 2017, nuk do të ekzistonte. U deshën zbulimet e ish-punonjësit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), që opinioni publik të mësonte se shërbimi i fshehtë gjerman është përfshirë në përgjime jashtë territorit. Dokumentet e Snowden-it, në 2013, zbuluan se Agjencia Kombëtare e Sigurisë se SHBA-së (NSA) përdorte BND-në për të spiunuar komunikimet e internetit në të gjithë botën. Edhe kancelarja Angela Merkel ishte objekt i përgjimeve.

Komisioni hetimor i Bundestagut gjerman që u ngrit enkas për të trajtuar skandalin e atëhershëm sugjeroi ndryshimin e ligjit të BND-së. U tha, u bë. Por ligji i ri është shumë i diskutueshëm. Sepse ai i mbron nga përgjimet e pashkak jashtë shtetit vetëm shtetasit gjermanë. Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut "Reporterët pa Kufij" e ka kontestuar gjyqin në Gjykatën Kushtetuese Federale në Karlsruhe. Seanca dëgjimore nisi të martën, më 14 janar 2020. Vendimi pritet brenda disa muajsh.

Image
Pamje nga seaanca e parë, më 14 janar 2020

Krahas organizatës, ankesë kushtetuese kanë bërë edhe disa gazetarë të huaj. Ata janë të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të informuesve të tyre. Gazetari maqedonas, Goran Lefkov, po heton çështjet e korrupsionit në vendin e tij. Shpesh me një lidhje direkte ose indirekte me Gjermaninë, siç thotë ai. Për këtë atij shpesh i duhet të komunikojë me burimet nëpërmjet telefonit, emailit dhe mesenxherit.

Goran Lefkov: "Të drejtat themelore dhe njerëzore janë në rrezik"

"Kur bisedat e informatorëve të mi përgjohen, atëherë burimet e mia heshtin," thotë Lefkov. Prandaj ai e sheh ligjin e BND-së si "një sulm serioz ndaj gazetarëve investigativë dhe kësisoj edhe lirisë së shtypit". Gazetari shton: "Ky është një kërcënim për të drejtat themelore dhe njerëzore".

Qeveria Federale dhe BND-ja e konsiderojnë të pabazë këtë shqetësim. Ato e shohin përgjimin masiv të të huajve jashtë territorit të Gjermanisë të domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit. Për këtë qëllim, informacionet e fituara nga përgjimet ruhen dhe, sipas nevojës, u transmetohen shërbimeve të fshehta të vendeve të tjera. 

Kancelaria: Është çështja për luftë e paqe

Edhe shefi i Zyrës së Kancelares gjermane, kristiandemokrati, Helge Braun, iu referua  gjatë gjyqit konflikteve aktuale, si Irani, Iraku apo Libia.  Gjermanisë i nevojiten për këto konflikte informacione të besueshme dhe të shpejta: "Pyetja se kush qëndron pas një sulmi mund të vendosë për luftë ose paqe." 

Paditësit kanë mirëkuptim për përgjimet e BND-së në internet. Por ata janë kundër dallimit që u bëhet shtetasve gjermanë dhe atyre të huaj, çka sipas tyre bie ndesh me të drejtat universale të njeriut, dhe për rrjedhojë edhe me Kushtetutën gjermane. Përveç kësaj, për arsye teknike, ata e konsiderojnë të pamundur filtrimin pa gabime të komunikimit global përmes telefonit, postës dhe bisedave elektronike. Me fjalë të thjeshta, gjithmonë lind pyetja, se çfarë shtetësie ka dikush që komunikon jashtë Gjermanisë.

Blaz Zgaga: "Gazetarët janë në anën e duhur"

Gazetari slloven, Blaz Zgaga, e ndan shqetësimin e kolegut të tij maqedonas, Goran Lefkov. Ai thotë se nuk ka nevojë për të mbikqyrur punën që ai e bën në interes të publikut. "Unë mendoj se ne gazetarët jemi në anën e duhur. Prandaj, pse duhet të na spiunojnë?" 

Gazetarët investigativë edhe pa survejim nga BND-ja nuk e kanë të lehtë, thotë ai:  "Ka shumë presion, kërcënime dhe probleme ligjore." Monitorimi sistematik e bën punën e tyre edhe më të vështirë "sepse shumë burime thjesht kanë shumë frikë të na kontaktojnë".

Kryetari i Senatit të Parë të Gjykatës Kushtetuese Federale, Stephan Harbath, tha në fillim të seancës sesa i ndërlikuar është procesi gjyqësor kundër ligjit të BND-së. Konflikti juridik lëviz në "pikëtakimet e disa zhvillimeve karakteristike për kohën tonë". Ai aludoi për rritjen e tensioneve dhe konflikteve ndërkombëtare që po ndodhin gjithnjë e më shumë në hapësirën dixhitale. Në thelb, pyetja që duhet të gjejë një përgjigje sërish dhe sërish është se si mund të  harmonizohen të drejtat themelore me sigurinë. 

Image

Paditësit shpresojnë që Gjermania të luajë një rol pararendës

Eksperti për të drejtat universale, Bijan Moini, pas seancës së parë ishte optimist. Ne kërkojmë që telekomunikimi të jetë parimisht i mbrojtur. Dhe që Gjykata Kushtetuese tani duhet të vendosë "nëse kjo mbrojtje duhet të respektohet edhe nga BND-ja, kur ajo fiton të dhëna jashtë vendit duke monitoruar Internetin". Për momentin, BND-ja lejohet të fitojë shumë të dhëna, të kontrollojë, t'i përpunojë dhe nganjëherë automatikisht t'ua kalojë ato shërbimeve të huaja "me synime shumë të paqarta për arsye  të kota".

Image
Eksperti për të drejtat univresale të njeriut Bijan Moini

Moini shkon shumë larg. Edhe gjermanët do të dëshironin nga Shërbimi i fshehtë amerikan, NSA, që "të mos na monitorojë në masë", shton ai. Dhe do të ishte një ndihmesë e madhe, nëse "në një vend të madh një gjykatë e rëndësishme do të vendoste kufizime për BND". Moini shpreson kështu që praktika e monitorimit nga agjencitë e shërbimit të fshehtë të rishikohet edhe në vendet e tjera./DW/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat