Rritet numri i emigrantëve në Europë që vijnë nga Turqia

Evropë

Rritet numri i emigrantëve në Europë që vijnë nga Turqia

Më: 18 janar 2020 Në ora: 06:36
Ilustrim

Numri i emigrantëve që kanë hyrë në Europë nga Turqia u rrit ndjeshëm vitin e kaluar. Pohimin e bën kreu i agjencisë kufitare të Bashkimit Europian (FRONTEX), Fabrice Leggeri.

“Në vitin 2019 më shumë se 82.000 migrantë u përpoqën të hyjnë pa autorizim në Europë, një rritje prej 46% krahasuar me një vit më parë”, tha Leggeri.

Kjo rritje, sipas tij, ishte kryesisht pasojë e përshkallëzimit të situatës në Siri, por edhe paqëndrueshmërisë në Afganistan e ndryshimit të politikave ndaj shtetasve afganë nga ana e autoriteteve iraniane dhe pakistaneze. Emigrantët e larguar nga Turqia hyjnë në masë të madhe në territorin e Greqisë, anëtare të Bashkimit Europian.

BE-ja ra dakort në vitin 2016 që t’i jepte Turqisë deri në 6 miliardë euro për të përballuar fluksin e sirianëve, e qeveria në Ankara mori masa për ndalimin e tyre.

Që atëherë, megjithatë, pakënaqësitë nga pala turke janë shtuar. Presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan, thotë se vendi i tij nuk mund të marrë përsipër i vetëm barrën e pritjes së 3.6 milionë refugjatëve sirianë dhe në të kaluarën ka kërcënuar se do të “hapë portat” për emigrantët që të vërshojnë drejt Evropës. Ai kërkon më shumë para dhe nuk është çudi, që europianët të dorëzohen përpara këtij pretendimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat