Ndonëse paralajmëron vështirësi për bizneset, Britania planifikon festë për Brexit-in

Evropë

Ndonëse paralajmëron vështirësi për bizneset, Britania planifikon festë për Brexit-in

Më: 18 janar 2020 Në ora: 14:35
Foto ilustrim

Qeveria britanike ka njoftuar se do të ketë organizime të veçanta në natën e 31 janarit, kur vendi të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, ndonëse shefi i thesarit pranoi se disa sektorë të tregtisë do të përballen me vështirësi si pasojë e këtij vendimi politik.

Shefi i Thesarit, Sajid Javid, it ha gazetës “Financial Times” se rregulloret britanike nuk do të jenë në bashkërendim me ato të BE-së në të ardhmen dhe se këto ndryshime mund t’i prekin disa biznese. Tash për tash, Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe.

“Nuk do të ketë bashkërendim, nuk do të jemi brenda tregut të përbashkët, nuk do të jemi në unionin e doganave dhe do ta bëjmë këtë në fund të vitit”, tha ai, duke iu referuar afatit në fund të këtij viti, kur pritet të përfundojë faza kalimtare dhe bisedimet mes palëve.

Britania do të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian më 31 janar, ndonëse do ta vazhdojë zbatimin e rregullave të BE-së për një periudhë kalimtare prej 11 muajsh. Ky shtet do të bëhet vendi i parë që largohet nga blloku dhe qeveria ka planifikuar që këtë ngjarje ta shënojë me festë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet të mbajë fjalim në natën e 31 janarit, pas mbajtjes së mbledhjes së kabinetit qeveritar në pjesën veriore të Anglisë.

E tërë lagjja ku ndodhen zyrat qeveritare pritet të zbukurohet më drita të ndryshme, ndërsa qeveria do ta fusë në qarkullim një kartëmonedhë të veçantë pikërisht në këtë datë, shkruan “Associated Press”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat