Richard Grenelli, injoron Gjermaninë, nuk i do të majtët dhe kërkon direkt-biseda Kosovë-Serbi

Evropë

Richard Grenelli, injoron Gjermaninë, nuk i do të majtët dhe kërkon direkt-biseda Kosovë-Serbi

Më: 23 janar 2020 Në ora: 11:25
Richard Grenell dhe Angela Merkel

Riçard Grenell [Richard Grenell], ambasadori aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës [ShBA] në Gjermani, edhe pse i ri, ka qenë i përfshirë në politikë qe goxha kohë. Ai sot po qëndron në Kosovë në një vizitë te liderët tanë politikë. Sapo përfundoi takimin me z.Albin Kurti ndërsa aktualisht është në takim edhe me z.Mustafa ndërkohë që mbrëmë pati një darkë pune me Hashim Thaçin, presidentin e vendit.

Grenelli ishte zëdhënës i ShBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara [OKB] për gati dy dekada, duke u bërë kështu më jetëgjati në këtë pozitë, shkruan B92.

Në maj të vitit 2018, ai ishte emëruar ambasador në Gjermani, pikërisht në pikun e tensioneve mes dy shteteve perëndimore.

Emri i tij u përmend në kontekstin e dialogut të Kosovës me Serbinë në dhjetorin e 2019-s nga gazeta prestigjioze amerikane Washington Post, kur u takua me Hashim Thaçin, presidentin e Kosovës në Berlin.

Në atë artikull, Grenelli e kishte quajtur presidentin Trump “njeri të besuar” dhe Thaçi i kishte premtuar atij tërheqjen e tarifës për mallrat e importuara nga Serbia.

Në Prishtinë ky takim nuk ishte njoftuar zyrtarisht. Grenelli raportohet të ketë kërkuar marrëdhënie të normalizuara mes Prishtinës dhe Beogradit dhe negociata të drejtpërdrejta mes tyre.

Ky takim ishte zhvilluar vetëm pak ditë pas letrave që i kishte dërguar Trumpi dy presidentëve, Thaçit e Vuçiqit, ku tregonte gatishmërinë për të asistuar në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje që respektonte interesat e të dyja palëve.

Por, puna si ambasador e Grenellit në Gjermani është konsideruar si kontroverse.

Menjëherë pas mbërritjes në Gjermani, ai u kritikua ashpër për komentet se kompanitë gjermane duhej të ndërprisnin të gjitha bashkëpunimet me Iranin, ndërsa Trumpi ishte tërhequr nga marrëveshja nukleare e 2015-s.

Po ashtu, në një intervistë të dhënë për mediumin e djathtë Brightbart News, ai kishte thënë që donte ta forconte të djathtën evropiane. Kjo e kishte ekspozuar atë ndaj sulmeve prej koalicionit qeverisës dhe opozitës në Gjermani. Shteti gjerman i kishte kërkuar sqarime për këtë deklaratë.

Në marsin e vitit 2019, Grenelli i kishte përshkruar planet e Gjermanisë për shpenzime ushtarake brenda NATO-s si të pamjaftueshme, pas së cilës politikanët gjermanë e akuzuan se kishte ndërhyrë në çështje të brendshme politike të një shteti të pavarur.

Në vitin 2013, ai zbuloi se ishte diagnostikuar me limfomën Non-Hodgkins, një grup kancerësh të gjakut që përfshinte të gjitha limfomat, përveç limfomës Hodgkin. Më pas i ishte nënshtruar kimioterapisë dhe e cila kishte pasur sukses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat