“Martohu me përdhunuesin”, projektligji i ri skandaloz në Turqi

Evropë

“Martohu me përdhunuesin”, projektligji i ri skandaloz në Turqi

Më: 23 janar 2020 Në ora: 23:44
Foto

Projektligji në Turqi, përdhunuesit nuk ndëshkohen nëse martohen me viktimat e tyre

Një projektligj i ri që do të hidhet për diskutim në parlamentin turk do të lejojë, nëse miratohet, përdhunuesit që të mos ndëshkohen për abuzimet me vajza të mitura, nëse martohen me viktimat.

I ashtuquajtur ligji “martohu me përdhunuesin” do të futet për debat në fund të majit. Kritikët thonë se ai legjitimon përdhunimin, martesën me të mitur dhe abuzimin seksual. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se ligji do të stimulonte abuzuesit të vepronin pa u ndëshkuar, duke i bërë edhe më të dobëta viktimat.

Edhe deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar dhe i kanë bërë thirrje shumicës që të mos e fusë fare për diskutim. Një ligj i ngjashëm u fut në Parlament edhe në vitin 2016, por u tërhoq më vonë për shkak të kritikave mbarë botërore.

Në vitin 2017, Turqia miratoi një tjetër ligj të debatuar, që i lejonte myftinjtë, përgjegjës për jurisprudencën islame, që të kryenin edhe ceremoni martesore civile.

Mosha ligjore e martesave në Turqi është 18, por sipas shifrave të publikuara nga vetë qeveria turke në vitin 2018, numri i martesave ku ishin përfshirë vajza të mitura, ishte afërsisht 482 908 në dhjetë vitet e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat